Transmetuar më 07-05-2014, 23:26

Shkodër, 7 Maj 2014 NOA.al – Tre persona në Shkodër, akuzohen se kanë bërë mashtrim me subvencionet shtetërore dhe janë prangosur nga policia, gjatë një operacioni të posaçëm të koduar me emrin “Ullishtja”.

Të arrestuarit janë Aleksandër Pal Zeka, 41 vjeç, Pal Mati Zeka, 62 vjeç dhe Gjon Simon Cuku, 35 vjeç, që të tre, banues në komunën Hajmel, rrethi Shkodër.

Operacioni u krye nga Strukturat e Luftës Kundër Krimit Ekonomiko Financiar në Drejtorinë e Policisë Qarkut Shkodër dhe nga forcat e Komisariatit të Policisë Shkodër.

“Ndalimi i tyre u bë pasi Gjykata e Rrethit Shkodër, ka vendosur masën e sigurisë “Arrest në burg”, si të dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Mashtrimit me subvencione”, parashikuar nga neni 144 i Kodit Penal”, – sqaroi policia.

Gjithashtu Gjykata e Rrethit Gjyqësor Shkodër, ka vendosur masën e sigurisë “Ndalim për t’u larguar jashtë shtetit” dhe “Detyrim paraqitjeje”, në ngarkim të Lekë Bibaj, 44 vjeç, banues në Komunën Hajmel, rrethi Shkodër. Bibaj është me detyrë kryetar i Komunës Hajmel. Gjykata thotë se Bibaj është i dyshuar për veprën penale të “Falsifikimit të dokumenteve në bashkëpunim më shumë se një herë”.

Gjykata ka vendosur masën e sigurisë “Pezullim nga funksionet shtetërore” dhe “Detyrim paraqitjeje” për 65 vjeçarin Dedë Shita, banues në komunën Hajmel, rrethi Shkodër, me detyrë Përgjegjës i Zyrës së Pronave në komunën Hajmel. Ai është i dyshuar për veprën penale të “Falsifikimit të dokumenteve në bashkëpunim më shumë se një herë”.

“Këto shtetas në bashkëpunim me njëri – tjetrin, nëpërmjet falsifikimit të dokumenteve kanë marrë subvencione nga shteti për të mbjellë ullinj në tokat në pronësi të tyre, por i kanë përdorur fondet e marra për qëllime të tjera”, – i thanë agjencisë noa.al, burime zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Shkodër. /r.d/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit