Transmetuar më 07-05-2014, 18:43

Tiranë, 7 maj 2014, NOA.al- Ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli, ka reaguar ndaj Presidentit Bujar Nishani, lidhur me atë që Kreu i Shtetit e cilësoi si shmangie gjatë konsultimeve për tre projekt- ligje.

Në një qëndrim zyrtar të MM, cilësohet si lexim i gabuar nga ana e Presidentit i disa projekt-ligjeve të inicuara nga Ministria e Mbrojtjes me mbështetjen e plotë teknike të partnerëve ndërkombëtare.

“Ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli, ndjen detyrimin të sqarojë publikisht se komentet e bëra nga Presidenti Nishani në njoftimin e tij për shtyp lidhur me projekt ligjet në fjalë janë absolutisht pa lidhje. Së pari, Ministria e Mbrojtjes është konsultuar me çdo aktor dhe faktor relevant në lidhje me çështjet e trajtuara në projekt-ligjet e saj, përfshirë edhe aktorin dhe faktorin President i Republikës me të cilin edhe drejpërdrejt ministrja Kodheli edhe në nivelin më të lartë politik në tryezën e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, po edhe në nivel ekspertësh në tryeza diskutimesh, ka këmbyer opinionet e nevojshme për sa i takon. Së dyti, Ministria e Mbrojtjes e siguron me këtë rast Presidentin Nishani ashtu si gjithë opinionin publik se të tre projekt-ligjet e cituara prej tij si produkte me mangësi ligjore që cenojnë balancën e pushteteve kushtetuese, janë në fakt një shprehje koherente ligjore e Kushtetutës së Republikës së Shqiperisë dhe e standardeve organizative të një vendi të NATO-s, ku në asnjë prej republikave parlamentare të Aleancës së Atlantikut të veriut, Presidenti nuk ka përveç përgjegjësive që i jep Kushtetuta edhe përgjegjësi të mbetura si atavizma të regjimit komunist”, thuhet në qëndrimin e Ministrisë së Mbrojtjes.

Ndërsa si pikë të tretë, Ministrja e Mbrojtjes garanton se ka qenë dhe mbetet përherë e gatshme të dëgjojë drejtpërdrejt nga Presidenti i Republikës çfarëdo leximi të gabuar, që nuk mund të jetë asnjëherë po kaq për të ardhur keq, sa kur “dëgjohet” pasi është dëgjuar më parë nga ambasadorët e vendeve anëtare të NATO-s./a.y/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit