
Tiranë, 7 maj 2014, NOA.al- Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, në një takim me qytetarët e Tiranës, e cilësoi procesin e legalizimit si një problem.
Sipas tij ishte qeveria demokrate ajo që nisi procesin e legalizimit. Lidhur me dosjet e legalizimeve që po shpërndahen nga Kryeministri Edi Rama, ai tha se ato janë përgatitur nga administrata e kaluar.
“Nëse ligji do kishte ardhur në Parlament për premtimin me legalizimet falas, ne nuk do të ishim këtu me ju. Se ato që po shpërndan janë tapitë e përgatitura nga administrata jonë. Po tapitë e reja që ka premtuar a do jenë falas? Ne kërkojmë që të mbahet premtimi i dhënë para qytetarëve”, tha Basha.
Sipas tij projektiligji për legalizimet parashikon disa ndërhyrje, por në asnjë prej tyre nuk parashtrohet legalizimi falas, përveç rritje të pagesave për legalizim, për ato kategori që përfitojnë nga legalizimi.
Kreu i opozitës theksoi se projektligji përjashton një numër qytetarësh nga legalizimi në varësi se ku ndodhet prona e tyre dhe çfarë është prona e tyre. Basha i cilësoi ndryshimet në ligjin e legalizimeve si një hap mbrapa, pasi në të nuk ka asnjë fjalë që të thotë se legalizimet janë falas.
Në vijim ai tha se çmimi i legalizimit rritet në çdo komunë dhe në çdo rreth, pasi me bono thesari do paguhet nga 30-50 % dhe jo 70% siç ka qenë më parë./a.y/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





