
Tiranë, 7 maj 2014, NOA.al- Nënkryetari i Komisionit Parlamentar për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik Alfred Peza, bëri me dije hapjen zyrtare të garës për katër vende vakante në Autoritetin e Mediave Audiovizive, përfshirë edhe kreun e AMA.
Peza deklaroi se Komisioni Parlamentar për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik në mbledhjen e tij të fundit, ka vendosur hapjen zyrtare të garës për 4 vendet vakante në Autoritetin e Mediave Audiovizive dhe në ky vendim përfshin zëvendësimin e 3 anëtareve dhe kryetarin e këtij autoriteti.
“Në çastin e fundit të votimit, kolegët e opozitës braktisën mbledhjen, si kurrë më parë në praktikën e punës dhe vendimarrjeve të deritanishme të këtij komisioni, duke preferuar rrugën e bojkotit. Është shumë e qartë ligjërisht, se shpallja e vendeve vakante në AMA u bë për shkak se mandati i 4 anëtarëve, ka përfunduar prej kohësh. Kjo ka bërë që prej shumë muajsh, puna në AMA të jetë e bllokuar, për shkak të mungesës së kuorumit të nevojshëm për mbledhjen dhe vendimmarrjen në këte institucion. Gjatë vitit 2013 nga 19 mbledhje të zhvilluara në AMA, 13 prej tyre kanë qenë të paligjshme. Të gjitha hapat ligjore të ndërmarrë deri tani nga mazhoranca parlamentare, kanë synuar zhbllokimin e ngërcit të krijuar, për ta futur punën dhe veprimtarinë e AMA në shtratin normal, ligjor dhe kushtetues. Kjo mazhorancë është e vendosur që të respektojë ligjin dhe vetëm ligjin në mënyrë që AMA të jetë pjesë e realizimit në kohë dhe me cilësi të reformave rregullatore në fushën e transmetimeve radiotelevizive. Për ti ofruar rregulla të qarta e të barabarta loje të gjithë operatorëve të ligjshëm në treg, e për rrjedhojë produkte sa më cilësore mediatike, qytetarëve tanë”, u shpreh Peza.
Më tej ai theksoi se AMA ka gjithashtu një rol shumë të rëndësishëm në proceset integruese të vendit, ku Shqipëria është angazhuar për të realizuar brenda qershorit të vitit të ardhshëm, reformën e kalimit nga transmetimet analoge në ato numerike.
Në vijim në emër të mazhorances, ai i bëri thirrje opozitës që të bashkëpunojë dhe të përfshihet në procesin e reformimit të AMA, duke iu kërkuar edhe kolegëve në Komisionin Parlamentar për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik që të zhbllokojnë sa më parë, vendimarrjen konsensuale për reformën në Radio Televizionin Publik.
Sipas tij, prej më shumë se 30 muajsh, këtij televizioni, i ka përfunduar mandati i 10 anëtarëve të Keshillit Drejtues e Kryetarit të tij dhe që nga viti i kaluar, TVSH është pa Drejtor të Përgjithshëm./a.y/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





