Transmetuar më 06-05-2014, 17:55

Forma e shkëlqyer që po shfaq Shkëlzen Gashi në këtë sezon me Grashoppersin në Superligën Zviceriane, ka bërë që për të interesohen një sërë klubesh me emër në Europë, citon Supersport.

Sipas portalit të njohur gjerman “Borlife.de”, Borussia Monchengladbach dëshiron të nënshkruajë me futbollistin e kombëtares shqiptare, trajneri Lucien Favre e pëlqen së tepërmi 25 vjecarin.

Gashi në këtë sezon ka shkëlqyer me fanellën e Grashoppersit duke shënuar 17 gola dhe kryeson listën e golashënuesve në kampionatin zvicerian.

Drejtuesit e Grashoppersit e vlerësojnë futbollistin e përfaqësues kuqezi rreth 800 mijë Euro, por nëse Gashi do të vazhdojë me këto ritme me shumë mundësi çmimi i kartonit të tij do të rritet akoma më shumë.

Nëse Gashi do të vendosë të transferohet te Gladbach ai mund të gjejë atje futbollistin tjetër kosovar Granit Xhaka, edhe pse ish lojtari i Baselit nuk ka një marrëdhënie aspak të mirë me trajnerin Favre dhe mund të largohet në përfundim të këtij sezoni.

Fundjavën që sapo lamë pas, 25 vjeçari shënoi 4 gola në ndeshjen që skuadra e tij fitoi me rezultatin 5-0 përballë Young Boys duke i dhënë mundësi Grashoppersit të pretendojë ende për titullin kampion në Zvicër.

Dhe pse mbeten edhe 4 ndeshje nga fundi i sezonit, skuadra e drejtuar nga trajneri Michael Schibe qëndron 4 pikë pas Baselit kryesues.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit