Transmetuar më 06-05-2014, 15:58

Tiranë, 6 maj 2014, NOA.al- Kryetari i Partise Demokratike, Lulzim Basha, në kuadër të vizitës zyrtare në vendin tonë të Presidentit të Senatit Italian Pietro Grasso, zhvilloi një takim me të.

Kreu i opozitës u shpreh gjatë takimit se vetëm konsolidimi i shtetit ligjor dhe institucioneve të pavaruara është rruga për ti bërë ballë sfidave të luftës kundër krimit dhe trafiqeve, korrupsionit dhe kapjes së segmenteve shtetërore përgjegjhëse për zbatimin e ligjit.

“Në këtë kuadër riaktivizimi i trafiqeve të drogës nga Shqipëria drejt vendeve fqinje, dukuri që prek pothuajse çdo ditë dhe Italinë është e papranueshëm pasi cenon rëndë sigurinë në vend dhe imazhin e Shqipërisë përballë partnerëve më të rëndësishëm europianë”, u shpreh Basha.

Duke u ndalur tek zhvillimet në vend, kryeopozitari tha se pasiguria juridike si rezultat i vendimeve arbitrare dhe të jashtligjshme të qeverisë, si dhe moszbatimi i vendimeve të gjykatave nga ana e qeverisë ka dëmtuar shumë interesat e qytetarëve shqiptarë dhe të investitorëve të huaj.

Referuar anulimit nga qeveria të disa koncesioneve Basha tha se kjo dëmton klimën e biznesit, interesat e investitorëve italianë, dhe qytetarët shqiptarë pasi shkurton në mënyrë dramatike vendet e punës.

Në vijim kreu i PD, i shprehu Presidentit të Senatit mbështetjen e pakushtëzuar të opozitës për integrimin europian të Shqipërisë dhe marrjen e statusit të vendit kandidat.

Sa i përket marrdhënieve dypalëshe me Italinë, Basha shprehu vlerësimin më të lartë dhe mirënjohjen më të thellë për të gjithë mbështetjen politike, ekonomike e të gjithanshme që Italia i ka dhënë Shqipërisë gjatë gjithë kësaj periudhe, në të gjitha fushat, dhe në veçanti, në projektin madhor të anetarësimit në BE.

Basha vleresoi rolin prej partneri strategjik që Italia ka ruajtur në vazhdimësi në marrdhëniet me Shqipërinë duke u renditur për më se dy dekanda në partnerin kryesor përsa i përket shkëmbimeve ekonomike dhe tregtare./a.y/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit