
Më e çmendur se kurrë më parë, e paparashikueshme dhe me temperatura që vetëm rriten, është kjo fazë shumë pranë finishit në kampionatin spanjoll me dy skuadrat e Madridit, Realin e Atleticon që janë pretendentë kryesorë, por matematika mban në garë edhe Barcelonën, citon Supersport.
Gjithsesi, pavarësisht situatës që komplikohet edhe më shumë nga kombinimet sa reale, aq edhe gati të pamundura për ekipin e ri kampion, tifozët e La Ligas e kanë shumë të qartë në mendjen e tyre se çfarë drejtimi do të marrë titulli i këtij sezoni.
Të pyetur përmes një sondazhi nga e përditshmja spanjolle Marca, se cila skuadër do ta fitojë kampionatin, 44.4% nga rreth 27 mijë votues janë të mendimit se trofeu do të përfundojë në duart e Los Colchoneros, që veç La Ligas pretendojnë të fitojnë edhe Champions League në finalen derbi me Los Blancos.
Për Atleticon, në dy ndeshjet e fundit i duhen vetëm 4 pikë që të kurorëzohet kampion dhe është i vetmi ekip që fatin e ka totalisht në duart e veta.
Reali më pas shikohet si kampion nga 36.8% e të anketuarve. Skuadra e Ancelottit ka një ndeshje më tepër për të luajtur dhe përveç fitores që e ka të domosdoshme në të treja takimet e fundit, duhet të shpresojë edhe tek një hap fals i Atleticos.
Më të pakta janë shanset për Barcelonën, e cila fatin e ka në duar, por njëkohësisht varet edhe nga rezultatet e dy skuadrave madrilene dhe jo më kot, trofeu i edicionit të 83-të në Camp Nou shikohet nga një pakicë tifozësh, konkretisht nga 18.7% në sondazhin e Marca.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





