
Prishtinë, 6 maj 2014, NOA.al- Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, priti në takim udhëheqësit e partive politike parlamentare kryetarin e PDK-së, Hashim Thaci, kryetarin e LDK-së, Isa Mustafa, kryetarin e AAK-së, Ramush Haradinaj dhe zëvendëspresidenten e AKR-së, Mimoza Kusari Lila.
Gjatë takimit Presidentja u informua nga ta për gjendjen në Kuvendin e Kosovës, për pamundësinë e vazhdimit të marrjes së vendimeve të rëndësishme për proceset e vendit, përfshirë pamundësinë e votimit për Forcën e Armatosur të Kosovës, dhe nevojën e shpërndarjes së Kuvendit me qëllim të mbajtjes së zgjedhjeve të përgjithshme të parakohshme në vend.
Në vijim udhëheqësit e partive politike parlamentare të pranishëm në takim theksuan domosdoshmërinë e organizimit të zgjedhjeve të parakohshme në një afat optimal me qëllim të nxjerrjes së vendit nga bllokada politike.
Presidentja Jahjaga theksoi se do të jetë garantuese e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë dhe një faktor i unitetit politik në vend.
Pas takimit Presidentja Jahjaga dha një deklaratë ku u shpreh se, “Sot prita në takim liderët politikë të Kosovës, me kërkesën e tyre. Më informuan për hapat që do t’i ndërmarrin në vijim për zgjedhjet e parakohshme në Kosovë. Si Presidente e Republikës së Kosovës unë do të vazhdoj të jem faktor i unitetit politik në vend dhe të gjitha veprimet e mia do të jenë konform Kushtetutës dhe ligjeve të Republikës së Kosovës”.
E pyetur se kur do të mbahen zgjedhjet, Presidentja Jahjaga u përgjigj se, “Do ta respektoj vendimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës, i cili është edhe hapi i parë që më obligon mua si Presidente e vendit që të filloj konsultimet me partitë politike, ashtu si e parasheh Kushtetuta e vendit”./a.y/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





