


Tiranë, 6 maj 2014, NOA.al- Kryeministri Edi Rama ishte i pranishëm në konferencën me temë, “Strategjia e Menaxhimit të Integruar të Kufirit 2014-2020”.
Gjatë fjalës së tij, kreu i qeverisë u shpreh se menaxhimi kufijve është një çështje e rëndësishme dhe e domosdoshme.
Ai theksoi se kufijtë janë vija më e rëndësishme e një shteti dhe se menaxhimi i kufijve është i rëndësishëm. Rama u shpreh se shteti duhet të garantojë menaxhimin e kufijve.
“Ne besojmë se kjo Strategji e Menaxhimit të Integruar të Kufirit, që është miratuar para disa kohësh në Këshillin e Ministrave dhe që sot merr rrugën e paraqitjes së vet për publikun, përbën një dëshmi serioze të një përpjekjeje të domosdoshme të qeverisë shqiptare, për një reformë modernizuese, e cila përmes modernizimit garanton edhe integrimin në vullnet dhe shprehjen e një vullneti të plotë në raport me gjithë miqtë e partnerët tanë ndërkombëtarë e posaçërisht me partnerët tanë europianë. Sigurisht, nuk ka paradoks mes përpjekjeve integruese dhe përpjekjeve për të menaxhuar kufirin; mes përpjekjeve për ta bërë kufirin virtual në gjithë procesin e shkëmbimeve tona dhe përpjekjeve për ta bërë kufirin vijë ndarëse mes legalitetit dhe ilegalitetit; mes botës së një shoqërie që punon në dritë dhe pjesës së një shoqërie që zhvillon aktivitetin e vet kriminal apo abuziv në errësirë; mes atyre që eksportojnë dhe importojnë dhe ndërkohë kontribuojnë për shoqëritë ku këmbehen mallrat dhe atyre që i shfrytëzojnë të çarat e kufirit si hapësira për evazion, për kontrabandë, për trafik, për korrupsion”, u shpreh Rama.
Ai tha se kjo strategji, duke shpalosur të gjitha përgjegjësitë dhe duke identifikuar saktësisht, të gjitha forcat e përfshira në këtë përpjekje nënvizon praktikisht, sesa kompleks është menaxhimi i kufirit dhe se çfarë sfidë e jashtëzakonshme është kjo, për një vend që përpara sesa t’i provojë të tjerëve, duhet t’i provojë vetes se është gati për t’u konsideruar njësoj si të tjerët në rrafshin e integrimit dhe bashkëjetesës në familjen Europiane, siç është Shqipëria.
Sipas tij rezultatet shumë të dobëta në menaxhimin e kufirit deri dje kanë qenë të lidhura jo vetëm me mosfunksionimin e marrëdhënieve të institucioneve me njëra – tjetrën dhe me mosfunksionimin e këtij raporti bazë, që e bën kufirin një hapësirë mundësish për qytetarin dhe për sipërmarrësin dhe një vijë të pakapërcyeshme për abuzuesin dhe për kriminelin, por edhe nuk kanë funksionuar marrëdhëniet me partnerët në menaxhimin e kufirit.
“Të mos harrojmë që duke synuar të hyjmë në Bashkimin Europian, synojmë në të njëjtën kohë të bindim partnerët tanë europianë se kufiri ynë është i sigurt për ata që janë më tutje. Jemi të gjithë të vetëdijshëm për punën që duhet të bëjë policia kufitare në rrugën e modernizimit, si rrugë për të luftuar më me efikasitet kontrabandën dhe çdo formë të krimit të organizuar”, tha ndër të tjera kreu i qeverisë.
Në këtë konferencë ishte i pranishëm dhe Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, sipas të cilit pala shqiptare ka gjetur mbështetje tek ndërkombëtarët sa i takon ruajtjes së kufijve.
“Të gjitha institucionet janë të përfshira për menaxhimin e kufirit. Veprimet burokratike, sipas asnjë plani, mungesën e transparencës, zgjidhja nuk mund të vijnë vetëm nga vullneti, por nga reformat. Kjo strategji i detyron 17 institucionet që të kryejnë çdo hap për informimin e kufitar. Ky plan përbën udhërrëfyesin për ruajtjen e kufirit. Kjo shërben jo vetëm për shkëmbime tregtare, por sjell zhvillim”- bëri me dije Tahiri.
Për ministrin Tahiri, strategjia e integruar e kufirit, është gur kilometrik për Bashkimin Europian.
“Parimi themelor i strategjisë është koordinimi i detyrave, dhe realizimi i tyre në kufi. Plani i veprimit nuk është katalog, por pasqyron detyrat dhe problemet. Strategjia nuk rrezikon të mbetet në letër, dhe as të pasurojë bibliotekën e strategjive. Për këtë arsye është konceptuar si një dokument me detyra shtëpie, me një plan konkret, për të mbikëqyrur kufirin”, vijoj më tej Tahiri.
Sipas tij, në këtë strategji për mbikëqyrjen e kufirit shqiptar janë parashikuar 636 masa konkrete për realizimin e të gjitha hapave, të cilat do të implementohen deri në vitin 2020.
“Ky dokument është i vetë realizueshëm, por realizohet menjëherë. Ka nevojë për punë dhe vullnet konkret. Ky projekt, rrit sigurinë për qytetarët dhe nxit zhvillimin ekonomik të vendit. Kërkojmë rritje të transparencës dhe shërbim më të mirë për qytetarët. Kjo strategji heq abuzimet dhe shkurton procedurën e lëvizjes së mallrave. Për të gjitha institucionet e përfshira në strategji, janë parashikuar masa por përmirësimin e teknologjisë, për të garantuar një shërbim të informatizuar për qytetarët”, bëri me dije ministri Tahiri./e.gj/a.y/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





