
Tiranë, 6 maj 2014, NOA.al- Largimet nga puna të punonjësve të administratës, janë kthyer në objekt debati mes mazhorancës dhe opozitës sot në komisionin Integrimin, gjatë seancës dëgjimore me Ministren e Shteti dhe Inovacionin për Administratën Publike Milena Harito.
Gjatë fjalës së saj ministria Harito, ka mohuar akuzat e bëra nga opozita se janë shkarkuar nga administrata punonjës për motive politike.
Sipas ministres, të gjitha lëvizjet janë bërë në përputhje me ligjet në fuqi.
Kryetarja e Komisionit, Majlinda Bregu, anëtaret, Jorida Tabaku, Mesila Doda, Albana Vokshi i kane drejtuar pyetje ministres mbi largimet nga puna në administratë. Sipas anëtareve të djathta në këtë komision, shumë persona janë largua nga administrata, kryesisht femra. Deputetet i kanë kërkuar ministres numrin e të larguarve dhe me cilët janë zëvendësuar.
Debati
Bregu: Rëndësinë e negociatave dhe rëndësinë e trajnimit të administratës publike e ka më të qartë se me këtë jemi marrë dhe ne dy vjet më parë para se ju të vinit në pushtet.
Trajnimi i gjithanshëm që po bëni, që po bëhet pikërisht nga trajnuesit, pikërisht nga ata që dy vjet më parë kanë nisur trajnimin.
Nuk besoj se keni informacion të bollshëm, se ata që janë trajnuar deri dje janë larguar sot nga puna. Sa janë në punë sot nga ata ekspertë të trajnuar dje? Janë trajnuar mbi 1 mijë ekspertë, një pjesë dërrmuese e madhe e tyre nuk janë më në punë, ky duhet të jetë shqetësimi i madh juaji për qeverinë tuaj.
Një informacion ka mbërritur sot në 3 ministri dhe pjesa tjetër nga ju, numri i administratës publike 3 700 janë në portalin e PD. Cilat janë shifrat tuaja për largimin nga puna, sa janë gra, kontratat e përkohshme dhe çështje të tjera që do dalin gjatë diskutimit tuaj? Te bëjmë te gjithë pyetjet dhe te leme zonjën Ministre tu përgjigjet me pas me radhe te gjithave.
Albana Vokshi: Dhe unë dua të di një shifër sepse gjithmonë e kam bërë këtë pyetje dhe nuk kamë marrë përgjigje.
Mesila Doda: Bashkohem dhe unë me kryetaren e komisionit të Integrimit. Ka një ligj të informimit dhe cdo deputet duhet që kur kërkon informacion duhet të jepet përgjigje.
Çështja e dytë për personat që janë pushuar nga puna apo kanë ndryshuar kërkesat e vendit të punës. Shumë raste që vijnë në postën time janë kryesisht gra të mbetura vetëm, me shumë fëmijë, kryefamiljare. Nuk janë thjesht numra, por janë tragjedi njerëzore.
Dade: Të bëj dhe unë një pyetje. Me cilët janë zëvendësuar nëse vendet nuk janë suprimuar, meqë bëhet zhurmë rreth kësaj, me militantë të PS? A janë respektuar proceset gjyqësore se pavarësisht se kë votojnë, PD apo PS. Këto dua të di nga ana ime
Bregu: Ka lista ku shtetasja … ka qenë më kimioterapi dhe është pushuar nga puna. Kur … është larguar nga puna teksa ishte me leje lindjeje. Kemi një listë të gjatë përpara…
Balla: Mëso njëherë sesi funksionojnë komisionet parlamentare, nuk di të drejtosh
Bregu: Ul zërin se nuk më intimidon…
Balla: Po të them, të dëgjojmë ministren, keni nisur keni 3 orë nuk pushoni
Bregu: Ul zëri se nuk më shqetëson mekëto që thua…
Balla: Po si nuk mësove njëherë si drejtohet një komision parlamentar. Bëhet prezantimi dhe fillohet me pyetje, por as kryetari nuk e ka të drejtën të bëjë konkluzione. Ti del në konkluzione. Asnjë prej nesh nuk mund të bëjë konkluzione jam i vjetër në këtë komision. Bëj një pyetje, prit të përgjigjen. Por moj zonjë e nderuar mos i bëj këto sa here të teket ty. Unë të dëgjoj përditë nga 3 orë, tani sot kam ardhur të dëgjoj ministren
Harito: Kam ardhur në komision dhe jo para Partisë Demokratike. Nuk kam asnjë listë të dhënë nga ju, me listat që kam kërkuar të më sillnit për të larguarit nga puna. Jam e kënaqur të konstatojë se shteti shqiptar ka punonjës të trajnuar, ashtu siç i keni trajnuar dhe ju. Për 10 aktet ligjore, janë 35 nene që kërkojnë akte nënligjore, në të cilat janë përfshirë në këto akte dhe nuk mungon asgjë deri më tani. Sa i takon punonjësve që merrem me çështjet e veçanta të integrimit, kemi shtuar me 20 për qind punonjësit e Ministrisë së Integrimit, kjo gjë nuk i ka hequr asnjë kompetencë koordinatorëve të integrimit.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





