
Tiranë, 5 maj 2014, NOA.al- Presidenti Bujar Nishani priti në një takim Presidentin e Senatit të Italisë, Pietro Grasso.
Gjatë takimit Presidenti Nishani shprehu mirënjohjen për gjithçka që populli dhe qeveritë italiane kanë bërë për Shqipërinë dhe shqiptarët dhe nënvizoi rëndësinë e partnerëve tanë në përpjekjet për ndërtimin e shtetit ligjor, konsolidimin e demokracisë dhe integrimin evropian, ndër të cilët, Italia luan një rol parësor të pazëvendësueshëm, duke shtuar se për këtë arsye e kemi konsideruar avokaten tonë të integrimit.
Nga ana e tij Grasso tha se, prania e tij në Tiranë pas vizitës së Presidentit Napolitano është shprehje e qartë e vijueshmërisë së vëmendjes së Italisë ndaj Shqipërisë dhe e mbështetjes së integrimit të saj evropian, që është pjesë e strategjisë italiane, e cila lidhet me nevojën e zgjerimit të Bashkimit Evropian në Ballkan, që përbën një interes të përbashkët dhe shtoi se, Italia mbetet realisht një mbështetëse e bindur e këtij misioni.
Të dy bashkëbiseduesit vlerësuan nivelin e shkëlqyer të bashkëpunimit ekonomik, kulturor dhe politik ndërmjet Shqipërisë dhe Italisë dhe shprehën bindjen se ka ende mundësi për zgjerimin e bashkëpunimit në kuadër të projektit TAP, të projekteve infrastrukturore dhe investimeve, veçanërisht në fusha si energjetika dhe bujqësia.
Presidenti Nishani dhe kryesenatori Grasso vunë në dukje rezultatet e arritura falë bashkëpunimit mes institucioneve shqiptare dhe italiane në luftën kundër krimit të organizuar dhe shprehën bindjen në fitimin e kësaj lufte.
Në vijim Presidenti Nishani vlerësoi lart eksperiencën, përkushtimin dhe profesionalizmin e Presidentit Grasso në këtë fushë./a.y/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





