
AMC dhe Green Line nisin fushatën ndërgjegjësuese për pastrimin e plazheve. Fushata do të përfundojë me aksionin e përbashkët më 23 maj për pastrimin e vijës bregdetarë në një ditë.
Në prag të çeljes së sezonit turistik 2014, Green Line dhe AMC nisin fushatën ndërgjegjësuese përgjatë vijës bregdetare të vendit. Fushata 2-javore e quajtur “Green Tour”, nuk do të shërbejë vetëm për ndërgjegjësim, por edhe për t’u njohur më mirë me situatën aktuale të ndotjes në vendet bregdetare.
“Green Tour”, gjatë udhëtimit do të ketë në fokus diskutime në tavolina të rrumbullakëta me autoritetet lokale dhe rajonale në komunat dhe bashkitë bregdetare, në mënyrë që të marrë mbështetje zyrtare për bashkëpunim, koordinimin e planit të aksionit në ditën e pastrimit (23 maj). Takime do të zhvillohen dhe në shkolla, gjimnaze, universitete dhe në qendrat e qyteteve për të rritur sensibilizimin dhe për të aktivizuar vullnetarët që do të bëhen pjesë e pastrimit. Deri më tani, nëpërmjet teknologjisë, mijëra vullnetarë kanë konfirmuar pjesëmarrjen në pastrimin e zonës ku jetojnë. Në forumet online, rrjetet sociale, website dhe profilet zyrtare të Green Line dhe AMC janë regjistruar mijëra mbështetës të nismës “Të pastrojmë Bregdetin – 23 Maj”.
Vullnetarët e “Green Tour” e kanë nisur udhëtimin më 5 maj nga Tirana dhe së pari do të ndalojnë në Vlorë ku do të takohen me zyrtarët më të lartë të bashkisë. Më pas rreth 20 vullnetarët nga Tirana, përgjatë turit të tyre 2-javor do të vazhdojnë takimet në Orikum, Dhërmi, Vuno, Himarë, Qeparo, Borsh, Sarandë, Ksamil, Shkodër, Velipojë, Lezhë, Shëngjin, Durrës, Kavajë, Divjakë, Fier, Seman, etj.
AMC ka qenë pjesë e nismave që mbrojnë mjedisin dhe natyrën shqiptare, duke u përfshirë dhe dhënë mbështetje në forma të ndryshme. Në kuadër të AMC Green, që përfaqëson angazhimin e kompanisë për ruajtjen dhe përmirësimin e mjedisit, punonjësit e AMC realizojnë çdo vit pastrime të ngjashme, ku mund të veçojmë plazhin e Spillesë, Gjirin e Lalzit, Shëngjinin dhe Parkun Kombëtar të Dajtit.
Kontributi i AMC për një mjedis më të mirë dhe për një jetesë më të shëndetshme do të konkretizohet edhe me projekte të tjera në vazhdim./noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





