Transmetuar më 05-05-2014, 13:25

Barazimin me Valencian e ka pritur me mjaft qetësi Carlo Ancelotti, i cili pranoi se Reali i Madridit pagoi koston e sforcimit në Mynih për gjysmëfinalen e Championsit kundër Bayernit.

Tekniku italian tha se në Bernabeu skuadra e tij luftoi, por pa energjinë dhe cilësinë e duhur.

“Kemi të bëjmë me lodhje fizike, edhe Atletico e Chelsea patën të njëjtin problem. Kur luan në një gjysmëfinale të Champions League, është normale që në fundjavë të mos japësh maksimumin.

Eshtë e vërtetë që edhe Valencia ka luajtur gjatë javës, por nuk kishte të njëjtin presion si Reali, kështu që ishte më e lirshme në lojën e saj”.

Në vijim Ançelotti vlerësoi maksimalisht komandantin e Los Blancos, duke thënë se goli i Cristiano Ronaldos ishte i domosdoshëm për ta mbajtur skuadrën në garë për titullin. Brenda një fundjave ka ndodhur çdo skenar i mundshëm për ta bërë edhe më të çmendur këtë fazë finale të La Ligas me barazimet e Barcelonës dhe të Realit, por edhe humbjen e Atleticos kryesues.

Me një sportivitet të jashtëzakonshëm, trajneri i Los Colchoneros i habiti gazetarët kur tha se disfata ndaj Levantes është gjëja më e mirë që mund t’i ndodhte skuadrës së tij.

“Ky është një moment ideal. Më mirë se kaq nuk mund të shkonte, sepse në vazhdim na presin tre javë fantastike që duhet t’i jetojmë me intensitet maksimal.

Gjithçka varet vetëm prej nesh dhe sot më shumë se kurrë duhet të kërkojmë vetëm fitoren në 3 finalet që na kanë mbetur.

Na presin 3 javë të mbushura me emocione dhe futboll të pastër. Tani kampionati është bërë edhe më i bukur”.

Në La Liga, Atletico do të presë Malagan në Vicente Calderon e më pas do të udhëtojë drejt Camp Nout për super përballjen me Barcelonën, përpara derbit madrilen për finalen e madhe të Champions League, që luhet më 24 Maj në Lisbonë.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit