
Tiranë, 5 maj 2014, NOA.al- Rreth 10 për qind e mostrave të ujit të marra në muajin e fundit të vitit 2013 në Tiranë kanë rezultuar me ndotje mikrobiologjike apo thënë ndryshe, jashtë standardit për E.coli. Shifrat raportohen nga Instituti i Shëndetit Publik, i cili, pas përpunimit të të dhënave të ardhura edhe nga qytetet e tjera konstaton se ndotje e ujit jashtë standardit të lejuar rezulton edhe në 6 qytete të tjera. Në një shkrim të “GSH”, thuhet se, vendin e parë për nivelin e lartë të ndotjes e mban qyteti i Koplikut, me plot 47 për qind të mostrave, ndërsa pas tij vjen qyteti i Lezhës, me 26.44% të mostrave të raportuara. Nivele të larta të ndotjes janë konstatuar edhe në Has (23% e mostrave) dhe Peshkopi (13% e mostrave). Disi më i ulët raportohet niveli i E.colit në qytetin e Kuçovës, me 6% të mostrave, dhe në qytetin e Kavajës, me rreth 2% të mostrave të marra. Ndërkohë që, sa i takon muajit tetor 2013, numri i qyteteve me ujë të ndotur është edhe më i lartë. "Nga të dhënat e ardhura nga rrethet për periudhën tetor-dhjetor 2013, rezulton se: Gjatë muajit tetor 2013 janë konstatuar ndotje mikrobiologjike në ujësjellësit e qyteteve Tiranë, Tepelenë, Tropojë, Peshkopi, Kuçovë, Koplik e Bulqizë. Në ujësjellësit e qyteteve Berat, Kavajë, Durrës dhe Elbasan ndotjet kanë qenë më të pakta. Nga të dhënat e raportuara për klorin konstatohet se në ujësjellësit në të cilët janë konstatuar ndotje të larta bakteriologjike, klori residual ka qenë i ulët (0.1-0.3mg/l) ose në vlerat 0 mg/l klor residual", thuhet në raportin e ISHP-së.
Instituti i Shëndetit Publik rendit tre faktorë që ndikojnë në ndotjen e ujit, ndërsa njëri prej tyre është mosklorinimi i ujit nga ndërmarrjet e ujësjellësit përkatës. "Në ndotjet e ujit të pijshëm ndikojnë një sërë faktorësh, si: Amortizimet e rrjetit të brendshëm të ujësjellësit, ndërhyrjet pa kriter në rrjetin e ujësjellësit dhe mosklorinimi i ujit të pijshëm nga ndërmarrjet e ujësjellësit apo klorinimi i pamjaftueshëm, në vlera të ulëta të klorit residual", thuhet në raportin e ISHP-së.
E.coli është një lloj bakteri, që zakonisht jeton në zorrët e njerëzve dhe kafshëve. Megjithatë, disa lloje të E.colit mund të shkaktojnë infeksion të zorrëve. Simptomat e infeksionit intestinal përfshijnë diarre, dhimbje barku dhe ethe. Ndërkohë që, rastet më të rënda mund të çojnë në diarre me gjak, dehidratim ose mosfunksionim të veshkave. Më të rrezikuarit për zhvillimin e këtyre komplikacioneve janë njerëzit me sistem imunitar të dobësuar, fëmijët e vegjël dhe të moshuarit.
Duke marrë në konsideratë shkaqet që ndikojnë në ndotjen e ujit, specialistët e Institutit të Shëndetit Publik kërkojnë ‘mobilizimin’ e ndërmarrjeve të ujësjellësit, me qëllim eliminimin e faktorëve të rrezikshëm. "Rekomandojmë që nga ndërmarrjet e ujësjellësit të kryhet në vazhdimësi inspektimi dhe ndërhyrja për gjetjen e defekteve në rrjetin e ujësjellësit dhe të bëhet eliminimi i tyre. Gjithashtu, nga ana e tyre të komunikohet në vazhdimësi me Inspektoratin Sanitar Shtetëror të rrethit mbi defektet e mundshme në rrjet. Nga ndërmarrjet e ujësjellësit të kryhet në vazhdimësi dezinfektimi i ujit të pijshëm sipas rekomandimeve të dhëna, për të siguruar ujë të pijshëm të sigurt për popullatën", rekomandojnë specialistët. Noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





