Transmetuar më 05-05-2014, 00:58

Nga Frrok Çupi

Qeveria mori një vendim: Në vitin 2032, do të zgjidhet një çështje që sapo e kishte në dorë!

Më duket se ishte problemi i pensioneve. Në media dhe në Kuvend ishte ngritur një valë diskutimi pse të rritet mosha e pensionit. Më duket gjithashtu, se rritja e moshës ishte një kërkesë e Fondit Monetar Ndërkombëtar, etj…

Shikoni, po them “më duket”. Them kështu, sepse kjo më duket forma më e përshtatshme gjuhësore për të qenë më i saktë mes asaj që shpall qeveria dhe asaj që mund të kuptojë individi, ose vetë populli atje poshtë në këmbët e qeverisë. Për të gjitha vendimet e qeverisë, më e mira do të ishte që lajmësit ose mediat, siç thuhet në gjuhën e kohës, të përdorin togfjalëshin “më duket”. Sepse “më duket sikur qeveria ka vendosur që në vitin 2032” të zgjidhet problemi i moshës së pensioneve, ose një problem tjetër. Qeveria vërtet ka vendosur kështu, por vendimi i qeverisë duhet zbutur me “më duket”. Po ta transmetosh te publiku si një të vërtetë zyrtare, atëherë publiku do të trembej, ose do të të sulej sikur ti po flet marrëzira, ose do të suleshin militantët e majtë “pse na përqesh qeverinë tonë”.

Kjo është njëra arsye pse duhet thënë “më duket” se qeveria ka marrë vendim për një çështje në vitin 2032.

Arsyeja tjetër është se vetë kategoria e tillë e vendimeve të qeverisë, është një “më duket” dhe jo një realitet.

Qeveria punon në realitet të dytë, jo në realitetin e të qeverisurve. Viti 2032, për shembull, i përket, padyshim një politike tjetër, një qeverie tjetër, një kërkese tjetër, një epoke tjetër. Asnjë pikë vizioni, aq më pak vendimi, i kësaj qeverie, nuk mund të bashkohen me atë epokë. Prandaj më e mira është që të thuhet se “më duket” sikur mosha e pensioneve do të rregullohet në vitin 2032 nga qeveria e vitit 2014.

Çfarë ka ndodhur kështu?

Ka këtu, vallë,  një skizofreni politike?, apo një lajthitje tjetër?

Skizofreninë, shumë njerëz e shikojnë si një atak emocional ndaj-tjetrit, por në fakt nuk është krejt kështu. Skizofrenia, sipas Michel Faucault- filozof francez, është të krijuarit dhe të jetuarit në një realitet tjetër. Kjo u ndodh disa njerëzve; edhe njerëzve që përbëjnë qeveri. Por vendimet skizofrenike në qeveri janë më të ndodhshme dhe ndërkohë më të rrezikshme, padyshim. Qeveritë, përgjithësisht qeveritë e dobëta dhe arbitrare, tentojnë t’i shtyjnë përgjegjësitë e veta në vitin 2032, ose në një shekull tjetër, ose në një epokë tjetër. Kjo e krijon realitetin e dytë, i cili nuk i nevojitet askujt në këtë epokë.

Qeveria komuniste e Shqipërisë (1945- 1992) e kishte shtyrë shpresën për jetën e mirë të njerëzve deri në ndërtimin e plotë të komunizmit. Deri sa të shpallej komunizmi i ndërtuar plotësisht, askush nga regjimi nuk kishte përgjegjësi pse njerëzit nuk jetonin mirë (!). Vitet e fundit, regjimi komunist kishte deklaruar se “i ndërtuam bazat e shoqërisë komuniste!”. Por vetë komunizmi do të vinte për breza të tjerë; këta tokësorët e epokës reale po punonin për disa shekuj që mund të vinin. Do të vinte çfarë? Askush nuk e dinte. Disa përfytyronin një shtëpi të bollshme, dyqanet plot me mallra dhe, kaq…

Por, vallë çfarë po ndodh më tej?

Qeveria e majtë, e ardhur në pushtet pas 23 qershorit të vitit të kaluar, ka ndërtuar strategjinë e punëve që fillojnë me “do të …”.

– Do të bëhet!…. kështu e ashtu.

– Do të kemi legalizime falas, shëndetësi falas…, 300 mijë vende. (Fiks kjo shifër, 300 mijë vende pune u përdor këto kohë kur po analizohen raportet e Rusisë me Evropën. 300 mijë vende pune janë instaluar në sipërmarrjet e mëdha ruse që punojnë me Gjermaninë. Vallë si do të bëhen 300 mijë vende pune në Shqipëri?)

– Do të kemi vetë parajsën në tokë!, – ka thënë qeveria e majtë aktuale.

Mirëpo në çdo fjalim, në çdo tribunë, në çdo premtim, janë dy fjalët tingëllore: “Do të…”.

Sot për sot, nuk kemi gjë. Nesër, pasnesër, ose edhe në vitin 2032, “do të…”

Ky është realiteti i dytë.

Realitetin e dytë e shfaqin para njerëzve pa asnjë vështirësi.

Filozofi Jose Ortega y Gasset, ka shkruar se do t’i jepte titullin gjeni atij politikani që do të ndjente vështirësi. Cilin politikan keni parë në vështirësi? A mund të gjeni ndonjë prej tyre?, – shkruan Jose Ortega y Gasset.

Përsëri pyetja, ndoshta edhe sipas studiuesve të politikës:

Vallë pse kryesisht politika e majtë i çon punët dhe shpresat e njerëzve në një realitet tjetër, ose në një epokë tjetër?

Kjo ndodh rëndom. Ka ndodhur me qeverinë e majtë të tanishme në Shqipëri që ka reklamuar programe dhe politika duke i titulluar: “Për gjeneratën tjetër!”. Qeveria që erdhi në vitin e 22-të të demokracisë lëshoi sloganin e parë: “Shqipëria e gjeneratës tjetër”. Përsëri ne nuk jemi; ne si gjeneratë! Edhe pse Shqipëria ka moshën më të re të popullsisë! Le të presim sa në terrenin e boshatisur të vijë një gjeneratë tjetër, që nuk paska lindur por është brez pas bebeve që sapo kanë lindur(!).

Vallë ne kemi zgjedhur qeverinë e gjeneratës tjetër ose të vitit 2032?

Shumë pyetje shtrohen.

Një nga majtistët më të kobshëm të rruzullit, Mao Ce Duni, kishte përpunuar idenë se “Konfuci ka lindur para babait të vet”. E kishte reklamuar dhe sipas biografëve të tij, Mao Ce Duni e besonte se Konfuci kishte lindur para të atit. Sipas legjendës së besuar nga majtisti Mao Ce Dun, dijetari misterioz Konfuc ka qenë 80 vjeç në kohën kur i ati ishte 30 vjeç.

Kjo është legjenda e pranuar nga ithtarët e doktrinës konfuciane.

Me Mao Ce Dunin dhe me idenë revolucionare të maoizmit, legjenda se Konfuci i ndritur ka lindur 50 vjet para babait të tij, është përhapur dhe aplikuar në disa vende të Azisë së Jugut, Nepal, Bangladesh, Malajzi, por edhe në Shqipëri.

Kultura majtiste ekstreme e përhapur me kodin “Konfuc” është vetëm fillesa e daljes prej realitetit.

Sepse nuk mund të jetë e vërtetë se anëtarët e qeverisë së sotme kanë lindur në vitin 2032; as se vendimet e tyre do të marrin jetë atë vit ose një shekull më vonë. Është thjesht një taktikë e inspiruar nga majtizmi ekstrem ku politika dhe njeriu i qeverisur nga të majtët jetojnë në një botë jo reale. /Koha Jonë/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit