
Duket se nuk ka limit për oreksin e Marc Marquez. Kampioni në fuqi i MotoGP vazhdon të marshojë me ritme të çmendura duke lënë pas çdo kundërshtar me triumfin në Cmimin e Madh të Spanjës, i katërti radhazi për këtë sezon dhe i pari në pistën e Jerez.
i nisur nga pole position, piloti spanjoll i Hondas ka regjistruar kështu një poker fitoresh, duke barazuar suksesin e Valentino Rossit gati një dekadë më parë.
Italiani ishte i vetmi deri tani që nisej i pari dhe arrinte po i pari vijën e finishit për 4 gara radhazi, një arritje të cilën e ka realizuar në 3 çmimet e mëdha, që mbyllën kampionatin e vitit 2003, si dhe në garën hapëse të sezonit pasardhës.
Në pistën e Jerezit, i vetmi që i kishte rezistuar kampionit Marc Marquez, Valentino Rossi ishte pa dyshim një nga surprizat më të këndshme të ditës.
Piloti i Yamahas, veç startit të mirë u shfaq në disa momente mjaft agresiv në fillim të garës duke sulmuar Marquez, ndërkohë që duhej të mbrohej nga spanjolli tjetër i Hondas, Dani Pedrosa, i cili plotësoi kështu podiumin me vendin e tretë pas italianit.
Nisja jo e mirë i ka kushtuar jo pak pilotit tjetër të Yamahas, Jorge Lorenzo, i cili veç vendit të dytë nga provat zyrtare, humbi edhe të tretin nga parakalimi i Pedrosas, 8 xhiro para fundit të garës.
Në Spanjë ishte Andrea Dovizioso ai që ngriti më lart flamurin për Ducatin, falë një vendi të pestë të fituar me shumë mundim.
Nga skuadra italiane, Cal Crutchlow u detyrua të tërhiqej për shkak të problemeve me frenat, ndërsa ishin incidentet në pistë që shkaktuan tërheqjen për dyshen Michele Pirro dhe Andrea Iannone.
Me një 100 pikësh perfekt nga 4 fitoret në 4 gara, Marc Marquez e ka çuar në 28 pikë avantazhin ndaj shokut të skuadrës Dani Pedrosa, ndërsa në vendin e tretë qëndron Vale Rossi me 61 pikë.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





