


Nga Klodiana Kotorri / NOA.al
Denoncimi për humbjen e dy fëmijëve të mitur në Shkozë të Tiranës vuri sot në alarm policinë e kryeqytetit dhe banorët e zonës. Pas rreth pesë orësh kërkimesh intensive, forcat e policisë së bashku me banorët bënë të mundur rreth orës 20:00 gjetjen e dy vëllezërve të mitur në zonën e Shkozës.
Të miturit 9 dhe 11 vjeç, Dorios e Abaz Pitarka u gjetën teksa luanin me fëmijë të tjerë në zonën e Shkozës ku edhe banojnë. Ata ndodheshin në një rrugice “qorre” duke zgjatur kështu edhe gjetjen e tyre.
Në polici dy vëllezërit deklaruan në prani të babait dhe psikologes se nuk ishin larguar për mos tu kthyer më në banesë por se po luanin me fëmijë të tjerë.
“Nuk donim të largoheshim nga banesa. Ne u vonuam se po zgjatej loja. Nuk e dinim se po na kërkonin” mësohet të kenë thënë para oficerëve të policisë dy vëllezërit.
Sipas policisë 11-vjeçari është larguar edhe më parë me orë të tëra dhe më pas është rikthyer në banesë. Babai i tyre e Idriz Pitarka vuri në alarm efektivët e komisariatit nr.1, e më andej edhe të gjitha komisariatet e kryeqytetit për zhdukjen e djemve.
Policia tha se Idrizi është paraqitur sot në komisariat dhe se fëmijët nuk rezultojnë të zhdukur prej mbrëmjes së djeshme ashtu sikurse deklaron i ati por janë larguar nga banesa sot paradite.
“Babai nuk ka vënë re praninë e fëmijëve mbrëmë në banesë. Ai ka konstatuar sot mungesën e tyre në shtëpi dhe njoftoi policinë. Gjyshërit e fëmijëve të cilët ndodhen në banesën pranë familjes Pitarka deklaruan se fëmijët u kthyen mbrëmë” thanë për NOA-n burimet policore.
Mësohet se dy vëllezërit jetojnë vetëm me babain e tyre pasi nëna aktualisht vuan dënimin në burg për “tentativë vrasje” ndërsa pranë shtëpisë së tyre jetojnë edhe gjyshërit.
E ëma e djemve, Dallëndyshe Pitarka, 34 vjeç u arrestua më datë 17 prill të vitit të kaluar për tentativë vrasje. Ajo qëlloi me tre plumba në drejtim të fqinjit të saj Adriatik Buci, 29 vjeç. Si pasojë e të shtënave mbeti i plagosur babai i të riut, Nezir Buci, ndërsa ai vetë shpëtoi paq. Polici pas ngjarjes çoi në qeli Dallëndyshen dhe bashkëshortin e saj Idriz Pitarka, por ky i fundit u la i lirë më pas.
Ka qenë vetë Dallëndyshja e cila mori përsipër krimin duke deklaruar se fqinji e ngacmonte ndaj dhe e qëlloi me armë, ndërsa policia dyshoi fillimisht se ajo ishte shtyrë nga bashkëshorti që të hapte zjarr mbi 29-vjeçarin. Ky i fundit mohoi pretendimet e autores duke deklaruar se nuk e kishte ngacmuar kurrë atë.
***
Tiranë, 4 prill 2014, NOA.al-(Përditësuar) Gjenden nga policia dy fëmijët të cilët rezultonin të humbur nga dita e djeshme. Dy fëmijët Doris dhe Abaz Pitarka u gjetën para pak minutash nga policia.
Policia informon se fëmijët janë në gjendje të mirë shëndetësore.
Sipas policisë fëmijët u gjetën në banesën e disa të njohurve të familjes Pitarka.
Tiranë, humbin 2 të mitur të moshës 9 dhe 11 vjeç
Dy fëmijë të moshës 9 dhe 11 vjeç janë zhdukur mbrëmjen e djeshme në mënyrë misterioze në kryeqytet. Ata janë vëllezër dhe identifikohen si Dorios dhe Abaz Pitarka.
Burimet policore informuan Noa.al se kanë marrë njoftimin nga babai i fëmijëve rreth orës 23.00 të mbrëmjes së të shtunës, ndërsa fëmijët janë parë për herë të fundit bashkë rreth orës 20.00.
Fillimisht familjarët i kanë kërkuar vetë dy të miturit në rrethin e tyre shoqëror dhe kur nuk kanë mundur t’i gjejnë, kanë lajmëruar Komisariatin 1 në Tiranë.
Burimet e agjencisë Noa.al kanë zbuluar se fëmijët jetonin me babanë e tyre në zonën e Shkozetit në Tiranë. Nëna e tyre është e burgosur dhe po kryen dënimin në burgun e grave në kryeqytet.
Policia është duke punuar për gjetjen e fëmijëve në Tiranë si dhe janë lajmëruar komisariatet e tjera policore në rrethe. Dyshohet për ndonjë rrëmbim të mundshëm, por deri më tani asgjë nuk është konkrete./k.k/a.s/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





