Transmetuar më 03-05-2014, 18:28

Vlorë, 3 maj 2014, NOA.al- Policia e Shtetit, në bashkëpunim me Prokurorinë për Krime të Rënda, në kuadër të operacionit të koduar “Merry Christmas- 2”, kanë vënë në pranga 5 qytetarë, të akuzuar për veprën penale trafikim i narkotikëve e kryer në bashkëpunim.

Operacioni është shtrirë njëkohësisht në disa qarqe. Në qytetin e Vlorës janë vënë në pranga Edison Muharem Latifaj, 32 vjeç; Emiljano Brahimi, 37 vjeç; dhe Niko Ilmi Brahimaj, 51 vjeç, të gjithë banues në këtë qytet.

Në Berat, në prangat e policisë ka rënë Saimir Riza Shosha i moshës 31 vjeçare.

Policia bën të ditur se këta persona, në bashkëpunim me njëri tjetrin, në periudha kohore të ndryshme, kanë tentuar trafikimin drejt Italisë, të sasive të lëndëve narktoike marijuanë, dhe konkretisht:

1.      Më datë 24.12.2014, në vendin e quajtur Hidrovor, Vlorë, është sekuestruar sasia prej 916 kg e 300 gr, ku është arrestuar shtetasi Vehbi Bajrami.

2.      Më datë 13.01.2013, në vendin e quajtur Levan, Fier, është sekuestruar sasia prej 110 kg, ku është arrestuar shtetasi Ermal Daja.

3.      Më datë 13.01.2014, në kuadër të operacionit “MENGJESI“ i zhvilluar ne qytetin e Gjirokastrës, u kapën 35 klandestinë, të cilët po tentonin të trafikoheshin dhe u arrestuan shtetasit Artur Gjonaj, Klejdi Qibini dhe Silver Qibini.

4.      Më datë 21.01.2014, në vendin e quajtur Llogara, Vlorë, është sekuestruar sasia prej 21 kg e 60 gramë, ku është arrestuar shtetasi Ismail Ruci. në momentin e arrestimit, të sipërpërmendurve iu janë sekuestruar 9 automjete (3 furgonë, 1 kamion, 5 autovetura); një mjet lundrues gomone; 21 aparate telefoni celular dhe karta sim; një kompjuter laptop si dhe dokumente shit-blerje pronash.

Në kuadër të këtij procedimi Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg” ndaj këtyre personave.

Në kuadër të këtij procedimi, u bë ndalimi i punonjësit të policisë në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Fier Dritan Zagani, 41 vjeç, banues në Shkodër nën akuzën e kryerjes së veprave penale “Shpërdorim detyre” dhe “Moskallëzim Krimi” si dhe u arrestua  Vasil Muharem Latifaj, 39 vjeç.

Gjatë kontrollit të banesës së këtij të fundit, u gjetën e sekuestruan në cilësinë e provës materiale dy armë zjarri automatik kallashnikov model 56, katër krehra armë zjarri automatik, si dhe një sasi fishekësh. /a.s/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit