Transmetuar më 02-05-2014, 22:07

Maqedoni, 2 maj 2014, NOA.al-  Kryetari i PDSH-së Menduh Thaçi nuk ka ndërmend të dorëhiqet, edhe pse nga zgjedhjet e së dielës partia e tij pësoi humbje të thellë, ndërsa kërkesa për heqje dorë nga politika erdhi nga bashkëpartiaku i deridjeshëm Zijadin Sela.

“Nuk jap dorëheqje nëse kërkojnë këtë dorëheqje tradhtarët e PDSH-së dhe armiqtë e PDSH-së. Normalisht unë u nënshtrohem organeve të partisë dhe kjo do të jetë krejt e hapur. Seriozisht është biseduar për këtë çështje dhe unë nuk preferoj dramatizim të situatës, kemi Kongresin edhe 10 muaj, Kongresin e rregullt dhe në kuadër të një procedure të rregullt do t’i zgjedhim të gjitha çështjet brenda partisë”, ka thënë Thaçi pas takimit të sotëm me ambasadorin amerikan Pol Volers.

Në pyetjen për takimin me mandatarin për formimin e qeverisë së re Nikolla Gruevski ai pranoi se ka realizuar një takim të tillë. “Po, po kam pasur pardje takim me kryeministrin, një takim që ka zgjatur 1 orë por asgjë nuk është definitive dhe finale”, tha ai.

Ndërsa, lidhur me kërcënimet e BDI-së, ai përgjigjet në stilin e tij: “Po kot flasin, ata nuk kanë kurrfarë potenciali për kërcënime të këtilla por vetëm tregojnë një dëshirë patologjike, që non-stop të jenë pjesë e qeverisë”.

Ndërkohë, për takimin ne ambasadorin Volers ai tha se ishte një takim i rregullt ku është biseduar për çështjen e zgjedhjeve presidenciale dhe zgjedhjeve parlamentare.

“Unë i rendita në përpikëri të gjitha parregullsitë që i ka bërë oponenti ynë politik BDI-ja, prej kërcënimeve, shantazheve, keqpërdorimit të administratës, blerjes së votës në mënyrë të hapur dhe shumë brutale dhe ky proces për mua dhe për PDSH-në është tërësisht i pa rregullt.

Më pastaj u bisedua përmundësinë e formimit të qeverisë së re të Maqedonisë ku unë shpreha të vetmen brengë që e kemi si PDSH, mundësia e de-bllokimit të procesit integrues”, tha Thaçi. Noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit