Transmetuar më 02-05-2014, 21:53

Maqedoni, 2 maj 2014, NOA.al- Ka fituar shumicën e votave të shqiptarëve, por përtej entuziazmit, Ali Ahmeti e shikon këtë besim që i dhanë shqiptarët e Maqedonisë, si një detyrim për t’u përmirësuar e për të përmbushur premtimet.

Ahmeti parashikon negociata të vështira me partinë më të madhe maqedonase VMRO-DPMNE, ndërsa thekson se BDI do të këmbëngulë në përmbushjen e kritereve për anëtarësimin në strukturat euroatlantike. Për Ahmetin, sfida më e madhe është çështja e zgjidhjes së emrit.

“Gjatë përballjes së platformave sigurisht, se do të ketë bisedime të lodhshme me palët. Duhet të jemi të kujdesshëm, të vëmendshëm, të mos zhvillohen negociata në eufori, negociata dramatike, por të dominojë arsyeja dhe logjika e ftohtë tek palët. Çdo përplasje apo çdo devijim nga negociatat mund të ketë pasoja. Të marrë drejtim anëtarësimi i vendit në NATO, anëtarësimi i vendit në BE”, ka thënë Ahmeti.

Ahmeti thotë se BDI nuk heq dorë nga kërkesat për president konsensual, ndërsa sipas tij, domosdoshmërish, njëri nga tre përfaqësuesit e institucioneve kryesore si presidenti, kryeministri apo kreu i parlamentit, duhet të jetë shqiptar.

“Ne nuk mund të bëjmë hapa pas, sepse ne kemi promovuar një ide e cila kontribuon në afrimin e komuniteteve. Të mendojnë të gjithë palët që një nga funksionet më të larta të shtetit duhet të drejtohet nga shqiptar, qoftë kryeministri, qoftë kryetari i parlamentit, qoftë presidenti. noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit