
Tiranë, 1 maj 2014, NOA.al- Ministria e Financave, bën të ditur se ka nisur shlyerjen e detyrimeve të prapambetura ndaj bizneseve. Nëpërmjet një njoftimi për mediat kjo ministri sqaron se, në muajin mars 2014, sapo qeveria miratoi Strategjinë e Shlyerjes së Detyrimeve të Prapambetura ndaj biznesit dhe individëve, Ministria e Financave publikoi listën me subjektet dhe faturat për likuidim.
Sipas ministrisë së Financave, deri më tani, në mbyllje të muajit prill, janë zhbllokuar rreth 160 milionë dollarë detyrime të prapambetura në sektorët e investimeve publike, rimbursimit të TVSH dhe atij energjetik.
Në lidhje me rimbursimin e TVSH, Ministria ka shpallur listën e subjekteve për detyrime që i takojnë periudhës deri më 31 dhjetor 2013, me vlerë rreth 85 milionë dollarë. Pra, nëse për likuidimin e borxhit ndaj firmave private tek investimet publike Ministria është duke proçesuar për vitet 2010-2011, te rimbursimi i TVSH ka avancuar duke mbyllur kështu 2013-n.
“Nëse llogarisim edhe detyrimet e paguara në dhjetor 2013, në total fatura e borxheve të vjetra të shlyera deri më tani arrin gati në 200 milionë dollarë. Për vitin 2014 është parashikuar në buxhet të shlyhen rreth 350 milionë dollarë fatura të prapambetura”, bën të ditur Ministria e Financave.
Gjithashtu, Ministria e Financave u bën thirrje subjekteve private të njihen me listën e detyrimeve të hedhura në thesar dhe të proçedojnë me pagesën në institucionet përkatëse. /e.gj/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





