
Me arkivimin e titullit kampion, Skënderbeu nis të mendojë për aventurën në Champions League, citon Supersport.
Synimi është për të shkuar sa më larg në kompeticionin më madhështor për klube, dhe për t’ia arritur kësaj duhet një skuadër sa më e mirë dhe pak fat në shortin e 23 Qershorit.
Presidenti i korçarëve ka nisur me rinovimet në skuadër, por në të njëjtën kohë mendon edhe për afrimet.
I sigurt është rikthimi në skuadër i Bajram Jashanicës pas një sezoni huazim tek Besa. Por 24-vjeçari nuk do të jetë i vetmi që do të marrë rrugën drejt Korçës, pasi gjurmët e tij mund t’i ndjekin edhe të tjerë si Berisha apo edhe Sefa.
Ndërkohë është konfirmuar se kampionët tanë do të njohin kundërshtarin europian më datë 23 Qershor, për dy takimet që do të luhen më 15 ose 16 korrik ndeshja e parë dhe për sfidën e kthimit një javë më vonë.
Për momentin, të konfirmuar në raundin e dytë kualifikues janë disa emra të rëndësishëm në arenën e futbollit europian.
Celtic, Bate Borisov, Dinamo Zagreb apo Malmoe janë skuadrat e konfirmuara në shortin e këtij raundi, që mund të pasurohet me të tjerë emra që priten të zyrtarizohen kampionë në kampionatet e tyre.
Sparta Pragë, Crvena Zvezda, Steaua apo Makabi Tel-Aviv mund të jenë të tjerë emra në shortin për raundin e dytë kualifikues.
Megjithatë vetëm kur të konfirmohen skuadrat do të bëhet edhe ndarja e vazove në bazë të koefiçientëve që kanë skuadrat në kompeticionet europiane.
Duke parë këto emra përveç përgatitjes sa më të mirë, Skënderbeut i nevojitet edhe shumë fat, për të evituar kundërshtarë të elitës në përballjen e parë.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





