

Tiranë, 7 nëntor 2013, NOA.al- Reparti i Inspektimit dhe Shpëtimit të Minierave ka reaguar lidhur me tragjedinë e rëndë të ndodhur në minierën e qymyrit në Dardhas të Pogradecit ku humbën jetën pesë të rinj, vëllezër dhe kushërinj me njeri tjetrin.
Reparti i Inspektimit dhe Shpëtimit të Minierave thekson se është informuar rreth orës 23:00 të së mërkurës disa persona kanë mbetur të bllokuar në ish minierën e qymyrit në Dardhas të Pogradecit. Menjëherë është ngritur grupi i posaçëm me specialistë të cilët kanë mbërritur në vendin e ngjarjes.
RISHM bën me dije se është konstatuar se në minierën e cila rezulton të jetë pa aktivitet dhe e mbyllur prej 20 vitesh, disa persona kanë hyrë në mënyrë ilegale për të marrë materiale ndërsa kanë marrë me vete edhe një gjenerator me benzinë. Gjatë punës së gjeneratorit është prodhuar sasi e konsiderueshme oksid karboni e cila është përhapur brenda galerive.
Specialistët e Repartit të Inspektim, Shpëtim, Minierave po punojnë për të nxjerrë nga galeritë personat e pajetë të cilët raportohet se janë futur në këtë ambient.
Kujtojmë këtu se nga pesë viktimat e tragjedisë së rëndë të ndodhur natën e lënë pas në një minierë në Pogradec, janë nxjerrë vetëm dy prej tyre.
Ngjarja tragjike ka ndodhur në fshatin Beragozhdë, të komunës Dardhas, ndërsa viktimat janë tre vëllezërit; Edison Hamolli, Ledjon Hamolli dhe Nertil Hamolli, të moshës 23, 24 dhe 25 vjeç. Gjithashtu dhe dy viktimat e tjera i përkasin një familjeje, ata janë dy vëllezërit Sazan Hamolli dhe Arjan Hamolli, që të gjithë viktimat të moshës 23-30 vjeç.
Sipas të dhënave të para, mësohet se pesë të rinjtë kushërinj me njeri tjetrin ishin futur në minierë për të nxjerrë skrap.Sipas policisë, dyshohet se shkak i vdekjes ka qenë asfiksia, si pasojë e tymit të një gjeneratori, i cili përdorej për të furnizuar pompën që shërbente për nxjerrjen e ujit jashtë minierës.Gjatë orëve të natës është nxjerrë vetëm trupi i njërit prej viktimave, Edison Hamollit, ndërsa në orët e mëngjesit edhe trupi i 25 vjeçarit Nertil Hamolli. Aktualisht vijon intensivisht puna për nxjerrjen e tre trupave të tjerë të pajetë./a.y/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





