Transmetuar më 02-11-2012, 20:01

Tiranë, 2 nëntor 2012, NOA- Kuvendi i Shqipërisë nderoi kontributin e grave shqiptare në 100-vjet Pavarësi, të cilat i dhanë nder dhe krenari kombit shqiptar.

Në fjalën e saj kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli u shpreh se sot nderohen një pjesë e grave simbol, i qëndresës e i forcës së gruas shqiptare, raporton noa.al.

“Ne nderojmë brishtësinë, delikatesën, dinjitetin e gruas shqiptare, kësaj gruaje të lindur në “djepin e tragjedisë” e të “dramës pa fund”, por që kurrë nuk u vyshk në freskinë e në fisnikërinë e saj njerëzore”, u shpreh Topalli.

Në këtë ceremoni, kryetarja e Kuvendit me motivacione të veçanta në shenjë mirënjohje dhe falënderimi për misionin e tyre, dhuroi botimin special të Kuvendit “Akteve të themelimit të shtetit shqiptar” duke nderuar një pjesë të grave simbol të qëndresës dhe të forcës së grave shqiptare siç vetëm një grua shqiptare mund të jetë.

Tefta Tashko Koço u nderua si e para artiste lirike, Lola Gjoka, u nderua si e para pianiste shqiptare, Marije Kraja soprano lirike, pioniere e muzikës dhe arsimit muzikor në Shqipëri, Dr. Sabiha Kasimati, e para biologe, shkencëtare në Shqipëri, Musine Kokalari, ndër të parat prozatore, publicistë, studiuese e psikologjisë dhe zakoneve popullore, Drita Pelinku e para studente e artit dramatik në Shqipëri, regjisore, pedagoge e profesioniste e aktrimit, Tinka Kurti, aktore e teatrit dhe kinematografisë, Margarita Xhepa aktore profesioniste, Luiza Laska u nderua për kontributin e paçmuar e të pandërprerë në interpretimin me mjeshtëri si askush tjetër, të karakterit e integritetit të gruas dhe nënës labe.

Një tjetër aktore e teatrit dhe kinematografisë, Roza Anagnosti u nderua nga Kuvendi, po ashtu Prof. Rushen Golemi, ndër mjeket dhe kirurget e para shqiptare, Suzana Turku, figurë e shquar e muzikologjisë sonë, dirigjentja e parë shqiptare, Prof. Adelina Mazreku, e para kirurge onkologe shqiptare, Cezarina Daragjati ndër të parat piktore shqiptare, me një aktivitet të çmuar artistik në vaj, Kristina Koljaka skulptorja e parë shqiptare, Androniqi Zengo, e para piktore shqiptare profesioniste me arsim të lartë, e para grua qe hapi ekspozitë punimesh personale, Nexhmije Pagarusha, “bilbili Kosovës” sigurisht, por edhe bilbili i këngës shqiptare, Tereza Bianku, e para grua në biznes e filantrope, Marie Shaqe Shiroka (Coba) e para grua shqiptare, promotore e lëvizjes feministe shqiptare që në vitin 1918, Rajmonda Bulku u nderua si aktore, politikane dhe u vlerësua për thirrjen  njerëzore në 20 shkurt të ’91, për të ulur armët e për të ndalur vëllavrasjen për “idhuj të rremë”!!!, Geraldine Appony, Mbretëresha e shqiptarëve, në emër të të gjithë grave të huaja, që për hir të dashurisë lanë vendin e tyre dhe lidhën fatin me këtë vend, Vaçe Zela u nderua për zërin e saj si “tingulli” me i bukur i këngës, i melodisë shqipe, e cila talentit që bujarisht i fali Zoti, i shtoi pa kursim, pasionin, shpirtin e saj, në çdo kordë, në çdo notë.

b.gj/noa.al