Paradokse shqiptare të ushqyera nga europianët. Ky është shpjegimi më i mriz që mund t’i bëhet vendimit të sotëm të marrë nga Qeveria shqiptare, e shtrënguar nga gjykata evropiane e Strasburgut.Vendimi erdhi me propozimin e ministrit të Drejtësisë dhe Këshilli i Ministrave ka urdhëruar sot ekzekutimin e vendimit të Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut, datë 7.2.2012, për çështjen nr.20134/05, “Alimuçaj kundër Shqipёrisё”, në shumën 8 mijë euro. Jo vetëm kaq, por edhe pagesën e tatimit mbi të ardhurat për dëmshpërblimin.
Vendimi përcakton se efekti financiar, i parashikuar në pikën 1, të këtij vendimi, të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit.
Konfirmohet se shuma e përcaktuar si detyrim në pikën 1, të këtij vendimi, do të depozitohet në një nga bankat e nivelit të dytë, në emër të ankuesit, z.Vehbi Alimuçaj, dhe do të konvertohet në lekë, me kursin e këmbimit të bankës ku është depozituar shuma, në datën e kryerjes së pagesës.
Qeveria vendosi që pagimi i shumës së depozituar, sipas pikës 4, të këtij vendimi, në favor të ankuesit, z. Vehbi Alimuçaj, të bëhet nga Ministria e Financave, pas paraqitjes së të gjithë dokumentacionit ligjor të nevojshëm për kryerjen e pagesave nga buxheti i shtetit, brenda datës 9.10.2012.
Qeveria thotë në vendim se “në rast mospagimi brenda këtij afati, mbi shumën e mësipërme paguhen interesa të thjeshta të barabarta me kursin marzhinal të huasë së Bankës Qendrore Europiane, gjatë periudhës së mospagimit, plus tre për qind”.Në përfundim të vendimit të firmosur nga kryeministri Sali Berisha dhe që hyn në fuqi menjëherë, thuhet se ngarkohen Ministria e Drejtësisë dhe Ministria e Financave për zbatimin e këtij vendimi.
Bosi i firmës piramidale VEFA, Vehbi Alimuçaj që ju shikoni në këto foto që ju sjell noa.al nga arkiva, u arrestua në prill të vitit 1998, i akuzuar për mashtrim në shumë të mëdha dhe më tej është dënuar nga drejtësia shqiptare.
Alimuçaj u dënua në fakt me 20 vjet burgim, nën akuzën e mashtrimit ndaj 57 923 kreditorëve. Vendimi u dha nga Gjykata e Lartë në vitin 2002, por ai vuajti vetëm pesë vjet e gjysmë burg sepse në Maj të vitit 2010, përfitoi nga dy amnisti të Presidentit të Republikës në vitet 2006 dhe 2007. Po ashtu fitoi 6 muaj ulje dënimi si pasojë e punës së kryer në burg ndërsa me faljen e presidentit në vitin 2010 përfundimisht fitoi lirinë.
Me të dalë nga burgu, Alimuçaj që akuzohet se zhduku kursimet e dhjetëra mijë shqiptarëve, u ankua për trajtim të pakujdesshëm gjatë kohës së qëndrimit në burg ku thoshte se vuante nga probleme kardiake dhe neuropsikike. Për më tepër, Vehbi Alimuçaj e kishte dorëzuar padinë ndaj shtetit shqiptar në Gjykatën e Strasburgut, më 2 Qershor 2005.
Gjykata e Strasburgut, pa pyetur aspak për dëmin që i shkaktoi Alimuçaj shqiptarëve që kurrë nuk i morën paratë e tyre, vendosi të detyrojë qeverinë shqiptare që atij t’i jepet dëmshpërblimi prej 8 mijë euro si dhe t’i paguajë edhe taksat.
Alimuçaj vuante dhe ishte ankuar për shërbim jo të duhur mjekësor gjatë vuajtjes së dënimit. Për këtë çështje, ai i referohej disa neneve në Konventën Europiane për të drejtat e njeriut, në bazë të së cilave, ankohej dhe për mungesën e parashikueshmërisë ligjore për ndjekjen penale ndaj tij, si dhe për dënimin e dhënë. Gjykata e Strasburgut rrëzoi shumicën e pretendimeve të ish bosit të kompanisë piramidale.Ky vendim i marrë në shkurt 2012 ka hyrë në fuqi pas 3 muajsh dhe mesa duket pala shqiptare nuk e ka ankimuar vendimin por i ka rënë shkurt duke i dhënë para Alimuçës.
a.b/noa.al


Agjencia Kombëtare e Lajmeve NOA
Dizenjimi dhe mirëmbajtja nga: