Më 18 gusht, ajo do të konkurrojë me fashën “Miss Albania” në eventin më të madh të bukurisë, “Miss World 2012″, që do të zhvillohet në Ordos të Mongolisë. Aktualisht ndodhet në shkretëtirën e Kubuqit, ku realizojnë edhe fotot e xhirimet për natën e madhe që do të ndiqet nga dhjetëra mijëra spektatorë, dhe rreth 2 miliardë teleshikues. Floriana Garo po jeton ëndrrën e madhe të çdo vajze që aspiron eventet e bukurisë. Ekskluzivisht, ajo vjen në këtë bisedë për suplementin “Summer Time” të gazetës “Koha Jonë”, plot ndjesi të bukura dhe përjetime që vijnë rrallë në jetë. Numërimi për të ka filluar mbrapsht deri tek nata e madhe, ndërsa çdo kush që dëshiron ta votojë ende, le ta bëjë atë në dy adresat zyrtare: (www.facebook.com/MissWorldAlbania) dhe (http://missosology.org/main/index.php/miss-World/contestants.html.)Ekskluzivisht për “Summer Time” në “Koha Jonë” nga Kina flet përfaqësuesja e Shqipërisë në “Miss World”
Intervistoi: Ilda Lumani
Floriana, tashmë që po e prekni ëndrrën e “Miss World”, si ndiheni?Është vërtetë një eksperiencë e rrallë. Siç e kam thënë më parë, ndjehem me shumë fat që kam rastin të përfaqësoj vendin tonë në eventin më të rëndësishëm të bukurisë në botë. Kam fatin të shoh vende të mrekullueshme, të jem në kontakt me njerëzit lokalë këtu, të mësoj shumë rreth vendeve të ndryshme të botës, duke ndarë në të njëjtën kohë me konkurrentet e tjera informacione rreth Shqipërisë dhe kulturës sonë.
Çfarë ju ka bërë më shumë përshtypje aty?
Më ka bërë përshtypje mikpritja e popullit kinez. Ne trajtohemi nga ata si perëndesha! Gjatë gjithë kohës na fotografojnë dhe filmojnë, na bëjnë dhurata, e na mirëpresin në hotel me ceremonira, dhe na ndihmojnë me gjithçka që kemi nevojë.
A janë të bukura konkurrentet e tjera? Ka rivalitet?
Këtë vit ka konkurrente shumë të bukura. Ka plot vajza të gjata, me trupa të bukur, që dinë të vishen mirë dhe të mbahen shumë. Mendoj se ka shumë rivalitet. Disa vajza jetojnë për këtë eveniment dhe që ndonjëherë dalin jashtë natyrës së tyre vetëm për t'ju përshtatur konkursit. Konkurrentet janë gjithmonë super të përgatitura, të veshura, të lyera, me taka shumë të larta që nga mëngjesi deri në darkë.
E shihni veten pretendente? Me çfarë mendoni se do t’i sfidoni?Unë e shoh veten pretendente dhe kështu më sheh edhe publiku që më ndjek nga interneti, por varet si më shohin juria dhe organizatorët. Në fakt, organizatorët e “Miss World” janë vërtet shumë diskretë dhe nuk të lenë të kuptosh qartë çfarë kanë në mendje. Unë mendoj se po i sfidoj me aftësitë e mia të komunikimit, pjekurinë, të folurit disa gjuhë, dhe me të qenit shumë sociale. Për sa i përket pamjes fizike, unë ndjehem e sigurt në vetvete, por disa gjëra këtu nuk varen nga unë.
Me kë jeni miqësuar më shumë?
Unë komunikoj shumë me pjesën më të madhe të vajzave këtu. Çdo ditë takoj dhe flas me vajza të reja, mësoj rreth tyre dhe vendit që ato përfaqësojnë, por më shumë jam miqësuar me shoqen time të dhomës, e cila është “Miss Italia”. Flasim Italisht bashkë dhe ajo është vetëm 1 vit më e vogël se unë, kështu që mendimet na përputhen. Po ashtu jam shumë e afërt me “Miss Gjermaninë”, e cila është me origjinë Shqiptare dhe bashkë flasim shqip. Më pëlqen edhe “Miss Serbia”, një vajzë shumë e bukur dhe me një personalitet shumë të mirë.
Keni emocione? Cila është frika juaj më e madhe?
Emocione kam për faktin që po përfaqësoj Shqipërinë dhe dua të lë një përshtypje shumë të mirë tek të gjithë. Dua që të më mbajnë mend mua dhe vendin tonë. Frika ime më e madhe është që unë dhe vendi ynë mund të mos marrim vlerësimin që meritojmë për shkak të politikës që luhet këtu.
Po siguria më e madhe që keni?
Siguria më e madhe është që janë vërtet të shumtë njerëzit që më mbështesin dhe që vërtet besojnë se ne meritojmë shumë këtë vit. Të gjithë miqtë dhe fansat që më ndjekin, më votojnë, dhe më pëlqejnë më japin siguri dhe forcë për të parë gjithmonë anët pozitive të kësaj eksperience.
Çfarë do të veçonit më shumë nga gjithë kjo pjesëmarrje?
Do të veçoja faktin që jam jashtëzakonisht e lumtur që jam ambasadorja e Shqipërisë në këtë eveniment e që më 18 gusht do të shfaqem në një skenë që do të ndiqet nga dhjetëra-mijëra spektatorë, dhe rreth 2 miliardë teleshikues. Do të jetë diçka, për të cilën do të jem krenare për gjithë jetën.
Kush ju mungon më shumë aty?
Pa dyshim partneri im, Tedi. E ndjej mungesën e tij vazhdimisht, dhe do të doja shumë të kisha mundësinë të ndaja me të çdo moment që përjetoj këtu. Kjo është hera e parë që ne kemi ndenjur kaq gjatë larg njëri-tjetrit që kur kemi filluar të jetojmë bashkë. Megjithatë, ne rrimë çdo ditë në kontakt me telefon dhe internet. Ai, e ëma, dhe familja ime më mbështesin dhe më japin gjithmonë forcë që unë të jap më të mirën dhe ta shijoj maksimalisht këtë eksperiencë.
Nëse nuk e fitoni kurorën, përse do t’ju vinte më shumë keq?
Nuk do të më vinte aspak keq për veten, vetëm për të gjithë njerëzit që kanë shpresuar tek unë dhe tek vendi ynë, që më kanë ndjekur, ndihmuar, dhe mbështetur vazhdimisht.
Si është e organizuar dita?
Këtu dita është shumë intensive. Mund të them që flemë shumë pak orë gjumë, dhe që vazhdimisht jemi në lëvizje. Kemi vizituar deri tani Ordosin, Shanghain, Changshu-ne, dhe tani ndodhemi në shkretëtirën e Kubuqit. Dita nis shumë herët me mëngjesin, aktivitete të shumta promocioni dhe bamirësie, vizita nëpër muze, shumë foto dhe filmime, dhe përfundon me darka Gala që zgjasin deri vonë. Një pjesë të madhe të kohës e kalojmë gjithashtu duke udhëtuar me avion ose me autobus. /Summer Time/


Agjencia Kombëtare e Lajmeve NOA
Dizenjimi dhe mirëmbajtja nga: