Berisha: Ne e kemi kandidatin, s'paragjykojmë kandidatin e PS
Transmetuar më 04.06.2012 14:15
Foto noa.al
Tiranë, 4 qershor 2012, NOA – Kryetari i mazhorancës qeverisëse Sali Berisha deklaroi mbështetjen e plotë ndaj kandidatit të propozuar për President të Republikës, juristit të njohur Xhezair Zaganjori dhe ftoi opozitën ta shqyrtojë atë e pse jo të paraqesë edhe ajo vetë, kandidatin e saj, përmes një procesi konsultimesh në interes të vendit, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.

Kreu i PD-së theksoi se procesi i zgjedhjes së Presidentit duhet të jetë sa më i gjerë i mundshëm, me qëllim që të zgjidhet një kandidat, që ta përfaqësojë vendin në mënyrë sa më dinjitoze.

Ky kuadër ishte sipas kryeministrit edhe në qendër të takimit të mbrëmshëm me kryetarin e PS-së Edi Rama dhe kreun e grupit kuvendor Gramoz Ruçi, ku palët siç tha kryeministri diskutuan për arritjen e një ujdie për një emër konsensual.

“Në ekspozenë tonë në këtë takim ne argumentuam vendosmërinë tonë për të ecur me një ujdi më të gjerë të mundshme dhe në këtë kontekst ne dolëm jashtë fushës politike, e cila numerikisht duhet të ishte e para, por në problemin që krijon për konsensusin ajo nuk mund të jetë e para. Duhet të jemi realistë, nuk mund të ftosh opozitën dhe opozita të të ftojë, që të të konsiderojnë kandidatura me background të mirëfilltë politik. Vetë procesi kërkon seriozitet, sinqeritet, transparencë. Ajo që spikat në përzgjedhjen tonë, është një vlerësim pozitiv dhe i qartë për kandidaturën e përzgjedhur. Dhe unë u përpoqa të argumentoj mbështetjen që ne i japim kësaj kandidature jo partiake, pasi ai nuk ka qenë asnjë ditë të vetme në PD. Ai është një personalitet me një karrierë të gjatë, është personalitet i njohur në universitet, diplomaci dhe në gjykatë”, theksoi kryeministri në mbledhjen e grupit kuvendor të demokratëve.

Ai inkurajoi partinë më të madhe opozitare të paraqesë kandidaturën e saj për president, duke nënvizuar se nuk do të paragjykohen nga mazhoranca.

“Mendoj se paraqitja ishte plotësisht transparente, por ndërkohë siç dhe jeni dëshmitarë, nuk kam deklaruar dhe as menduar se partia kryesore opozitare nuk duhet të paraqesë kandidatura dhe se kandidaturat e saj do të paragjykohen. Jo. Preokupimi ynë duhet të jetë një proces thellësisht kushtetues. Besoj se jeni dakord se nuk mundet që të shkojmë poshtë për të zgjedhur kryesorin, jo më lart duhet të shkojmë. Ndaj theksova se ne do të shqyrtojmë kandidaturën e paraqitur nga PS, duke besuar se kandidati meriton të gjithë mbështetjen tonë të plotë. Pra takimi ishte një përpjekje për të gjetur një ujdi, ku palët shprehën qartë pikëpamjet e tyre, se si mendojnë ata se mund të arrihet ujdia”, theksoi kryeministri.

Duke iu referuar dështimit pa kandidat të raundit të dytë ai uroi që zgjedhja e Presidentit të ri të Republikës të kryhet në raundin e tretë, duke shprehur bindjen se palët duhet të zgjedhin kandidaturën më dinjitoze.

“Sot shqiptarët prisnin votimin. Nuk ndodhi, po vjen dhe raundi i tretë. Uroj që të votojmë së bashku në raundin e tretë kandidaturën më të mirë. Ne jemi të vendosur të vijojmë të përpiqemi për mirëkuptimin më të gjerë të mundshëm sikundër edhe një vetëdije e thellë për çdo qytetar e politikan ekziston se Kryetari i Shtetit duhet të ketë integritetin, dhuntinë dhe të gjithë vetitë dhe aftësitë për ta përfaqësuar në mënyrë dinjitoze vendin”, u shpreh kryetari i PD-së.

Ai bëri edhe humor me deputetët e gazetarët e pranishëm gjatë mbledhjes së deputetëve, duke nënvizuar se është i fundit që i mëson se kulisat për zgjedhjen e kandidaturave për postin e Presidentit.

Sipas tij konsultimet janë të pandërprera, qoftë mes aleatëve të mazhorancës qoftë me opozitën për zgjedhjen e një emri konsensual.

E në këtë suazë Berisha tha se ka politikanë që janë zemërthyer për kandidaturën e përzgjedhur nga fusha e drejtësisë.

“Është dëshmuar qartë nga mazhoranca se ka krijuar frymën dhe kushtet për një votim të gjerë, konsensual në Parlament. Unë e kuptoj dhe e mirëkuptoj që të gjithë politikanët, përveç Paulinës janë pak zemërthyer se Majlinda nuk e beson kush se nuk je në moshë të zgjedhjes. Edhe Mesila. Pra në tërësi unë e kuptoj adrenalinën që qarkullon tek politikanët në këtë periudhë, dhe e vlerësoj mirëkuptimin që keni treguar se ky do të jetë një proces sa më gjerë i mundshëm”, u shpreh me humor kryeministri.

mit/noa.al

Ndalohet riprodhimi i plotë ose i pjesshëm i materialeve të NOA.al, pa një leje të shkruar
  • Komentoni

  • Should be Empty:
  • Komente

Të nderuar lexues. Ju mund të komentoni lirisht, mjaft të mos përdorni fjalë fyese, apo që nxisin urrejtje mbi baza nacionale, racore, gjinie, fetare. Komenti juaj do të verifikohet nga sistemi nëse përmban shkelje të kodit të etikës dhe do të shfaqet brenda 15 minutave në vazhdim.

Nëse do të votonit sot, kush do të ishte zgjedhja juaj ndër këto parti kryesore?

PD
PS
LSI
PBDNJ

Rezultatet

SOFT NEWS

Dentisti in Albania