Transmetuar më 12-07-2023, 01:31

Qeveria e Kosovës njoftoi se është pajtuar që të zvogëlojë praninë policore në veri dhe të mbështesë mbajtjen e zgjedhjeve të reja në katër komunat veriore, si pjesë e veprimeve për të shtensionuar situatën.

Të gjitha hapat, sipas Qeverisë së Kosovës, do të "finalizohen brenda një periudhe dyjavore".

Ky pajtim u arrit gjatë një takimi joformal që u mbajt në Bratisllavë midis zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi, dhe të dërguarit të posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.

Sipas njoftimit të Qeverisë, prania policore në dhe rreth ndërtesave komunale në veri do të zvogëlohet menjëherë për 25 për qind.

Po ashtu, Kosova dhe BE-ja janë pajtuar edhe për ndërmarrjen e disa hapave të tjerë.

"Qeveria e Kosovës përmes një deklarate publike mbështet mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme në katër komunat në veri të vendit dhe atë pas stinës së verës", tha Qeveria, duke shtuar se institucionet në Prishtinë shprehin përkushtim që të sigurohet baza e nevojshme ligjore për organizimin e këtyre zgjedhjeve.

Po ashtu, Policia e Kosovës, së bashku me misonin e BE-së për Sundim të Ligjit (EULEX) dhe misionin paqeruajtës në NATO-s në Kosovë, KFOR, sipas nevojës do të bëjnë vlerësimin e gjendjes së sigurisë "në veçanti për të shikuar mundësinë për zvogëlimin e mëtejmë të pranisë policore në dhe rreth ndërtesave komunale", njoftoi ekzekutivi.

"BE-ja do të ftojë dy kryenegociatorët në Bruksel me synim të finalizimit të planit të sekuencimit për Marrëveshjen drejt normalizimit, pas të cilit do të fillojë zbatimi i të gjitha neneve të marrëveshjes", tha Qeveria e Kosovës.

Edhe BE-ja ka konfirmuar për RFE se është pajtuar me Kosovën për këto pika, që synojnë shtensionimin e situatës në veri.

Deklarata e plotë e qeverisë së Kosovës:

Fokusi kryesor i takimit tё djeshёm nё Bratisllavё i zëvendëskryeministrit të Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi me Pёrfaqёsuesin e Lartё tё Bashkimit Evropian, z. Lajçak ishte krijimi i parakushteve pёr pёrforcim tё fokusit nё zbatimin e plotё dhe tё pakusht tё Marrёveshjes Bazike tё 27 shkurtit dhe aneksit tё Ohrit tё datёs 18 mars. Nё kёtё kontekst është arritur dakordimi sa vijon:

• Qeveria e Kosovёs publikisht e tregon gatishmёrinё e saj pёr tё kontribuar nё deeskalimin e situatёs dhe mosndёrmarrjen e veprimeve qё mund tё eskalojnё situatёn nё veriun e vendit. Kjo pёrfshin njё zvogёlim tё menjёhershёm për 25% tё prezencёs policore nё dhe rreth ndёrtesave komunale.

• Policia e Kosovës bashkё me EULEX-in dhe KFOR-in, sipas nevojës do të vlerёsojnё gjendjen e sigurisё, nё veçanti pёr tё shikuar mundёsinё pёr zvogёlim tё mёtejmë tё prezencёs policore nё dhe rreth ndёrtesave komunale.

• Qeveria e Kosovёs pёrmes njё deklarate publike mbёshtet mbajtjen e zgjedhjeve tё parakohshme nё 4 komunat nё veri tё vendit dhe atё pas stinёs sё verёs. Kosova shpreh pёrkushtimin pёr sigurimin e bazёs sё nevojshme ligjore pёr tё mundёsuar organizimin e kёtyre zgjedhjeve.

• BE do ftojё dy kryenegociatorёt nё Bruksel me synim finalizimin e planit tё sekuencimit pёr Marrёveshjen drejt Normalizimit, pas tё cilit do tё fillojё zbatimi i tё gjitha neneve tё marrёveshjes.

Veprimet e sipёrpёrmendura do tё finalizohen brenda njё periudhe dyjavore.