
Brukseli ka marrë një hov të ri veprimesh ndëshkuese ndaj qeverisë dhe popullit të Kosovës duke paralajmëruar një paketë të re ndëshkimore. Kjo valë evropiane e paprecedentë, vjen pasi kryetarët e bashkive ku ka shumicë minoritare serbe, u futën në zyrat publike pasi fituan zgjedhjet e bojkotuara nga serbët me urdhër të Beogradit. BE kritikoi qeverinë e Kosovës duke i kërkuar që kryebashkiakët të punonin nga zyra të tjera(!)
Në paketën ndëshkimore që prezantuan zyrtarët e Brukselit paralajmërohet pezullimi i të gjitha grupeve të punës për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit të Kosovës me Bashkimin Evropian.
Po ashtu njoftohet pezullimi i financimit të programeve të BE-së, mosmiratimi i projekteve nga Fondi për Investim në Ballkanin Perëndimor si dhe pezullimi i takimeve në nivele politike.
Jozyrtarisht thuhet se këto janë disa nga masat ndëshkuese për Kosovën që pritet të shpallen gjatë javës nga Bashkimi Evropian, pasi mund të ketë dhe të tjera. Më herët ishte paralajmëruar anulimi i heqjes së vizave 6 mujore që duhet të hynte në fuqi me 1 janar 2024, proces që u tejzgjat nga BE në mënyrë të papranueshme dhe tani duket se nuk do të nisë sërish duke lënë shqiptarët e Kosovës jashtë dyerve të BE, qoftë dhe për turizëm dhe që të takohen me të afërmit e tyre emigrantë.
Drejtori i përgjithshëm i Komisionit Evropian për zgjerim, Gert Jan Koopman, tha se masat janë rrjedhojë e mosndërmarrjes së hapave që janë kërkuar për të ulur tensionet në veri të Kosovës.
Ai e bëri këtë paralajmërim gjatë një debati në Komisionin për Marrëdhënie me Jashtë të Parlamentit Evropian së bashku me të dërguarin evropian për bisedimet Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak.
BE bashkë me SHBA kërkojnë që Kosova të largojë kryebashkiakët e zgjedhur më 23 prill nga zyrat e tyre, të anulojë këto zgjedhje dhe të zhvillojë të reja, si dhe të largojë forcat speciale policore. Kërkesat vijnë në kushtet kur Kosova përballet me gatishmëri nr 1 të ushtrisë serbe të dislokuar në kufi me Kosovën.
Lajçak dhe Kopman shmangën përgjigjen në kërkesat e deputetëve që të përcaktohen masa ndëshkuese edhe ndaj Serbisë. /noa.al/