Transmetuar më 30-05-2023, 21:54

Kosovë- Veriu i Kosovës prej disa ditësh gjendet në gjendje alarmante ndërkohë që janë shtuar tensionet me Serbinë.

Lidhur me këtë situatë kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, i cili i kërkon kryeministrit Albin Kurti të japë dorëheqjen.

Në një postim në facebook Haradinaj thotë se kryeministri Kurti po tenton t’i rrëzojë miqësitë dhe aleancat për të cilat janë investuar dekada për t’i krijuar.

"Është i vogël Albin Kurti t’ia nderrojë orientimin Kosovës dhe popullit të saj. Ai e ka vetëm një shans, që njëherë në jetën e tij t’ia bëjë një të mirë Kosovës! Të japë dorëheqje qysh sot!

Më tej Haradinaj thotë se Albin Kurti po mbështetet në këtë iniciativë edhe nga presidentja Vjosa Osmani duke thënë se po e kthejnë Kosovën vite prapa.

“Albin Kurti e Vjosa Osmani për më pak se tre vjet në pushtet, nuk kanë lënë sukses pa e kthyer përmbys. Ata për kaq pak kohë e kanë kthyer Kosovën dhjetë vjet mbrapa. Përjashtimi i Kosovës nga ushtrimi i NATO-s “Defender Europe 2023” është alarm për sigurinë tonë nacionale. Duhet të jesh shumë dritëshkurtër që në këtë kohë kaq delikate, të armiqësohesh me krejt botën demokratike?

Shtetet investojnë me dekada për të krijuar miqësi dhe aleanca. Në rastin tonë, del një Albin Kurti e tenton t’i rrëzojë ato. Ka pasur edhe të tjerë në historinë tonë që kanë dashur t’i përmbysin këto aleanca, por Kosova ka qenë më e madhe se sa vogëlsia e tyre dhe ka triumfuar. Ajo nuk ka alternativë tjetër përpos të triumfojë edhe këtë herë. Populli i Kosovës që është populli më properëndimor i kontinentit, do të dijë t’i ruajë miqtë dhe orientimin e vet. Sipas Haradinajt, Kurti e ka vetëm një shans në jetën e tij që t’ia bëjë një të mirë Kosovës.

“Ai e ka vetëm një shans, që njëherë në jetën e tij t’ia bëjë një të mirë Kosovës! Të japë dorëheqje qysh sot!”, e mbyll postimin Haradinaj.