Transmetuar më 27-05-2023, 23:18

Zvicër- Gjendet e vdekur në shtëpinë e saj në Zvicër nëna shqiptare e 4 fëmijëve. 37 vjeçarja nga Kosova është gjetur e pa jetë në banesën e saj mbrëmjen e sotme.

Mediat zviceriane raportojnë se ngjarja ka ndodhur në qytetin Vevey, teksa autori i dyshuar është partneri i saj i cili edhe është arrestuar.

Prokuroria tashmë ka hapur hetimet për zbardhjen e rrethanave të kësaj vdekjeje, e cila dyshohet se mund të ketë ardhur si pasojë e dhunës në familje.

Gjatë ditës së premte, shtetasi kosovar, 42 vjeç është paraqitur në stacionin policer në kantonin e Bernës, duke pretenduar se kishte plagosur partenrën e tij. Pas kësaj, policia zvicerane kishte shkuar në banesën ku gjendej gruaja.

Pasi kishin hapur derën me dhunë, policia kishte gjetur viktimën e cila ishte goditur disa herë me thikë dhe kishte ndërruar jetë.

Partneri i saj i dyshuar për vrasjen u arrestua menjëherë nga policia e Bernës dhe iu dorëzua autoriteteve të Vaud për procedime të mëtejshme. Katër fëmijët e viktimës po kujdeseshin nga familja.

Hetimet synojnë të zbardhin rrjedhën e ngjarjeve dhe motivet e mundshme të krimit në mënyrë që autoritetet të klasifikojnë saktë krimin.