Transmetuar më 26-05-2023, 13:37

Elbasan- Parandalohet vrasja në Elbasan.

Pas informacioneve të marra nga inteligjenca informative dhe ndërhyrjes së tyre në kohë, Policia e Elbasanit ka parandaluar një ngjarje kriminale. Ka pasur dyshime se një person kishte në plan të vriste një shtetas me precedent kriminal për shkak të një konflikti të mëparshëm ndërmjet tyre. Por, falë kontrollit të policisë në terren, personi 23-vjeçar nuk mundi të kryente vrasjen. Ai hodhi armën e zjarrit në rrugë dhe u largua për të shmangur arrestimin.

Policia vazhdon kontrollin e zonës për të lokalizuar dhe arrestuar personin në fjalë. Po ashtu, një person tjetër është shpallur në kërkim, i dyshuar si bashkëpunëtor i 23-vjeçarit në kryerjen e vrasjes.

Ndërkohë, një 41-vjeçar është arrestuar pasi u gjetën drogë, armë dhe municion luftarak në apartamentin e tij. Në sekuestrim janë marrë 2 armë zjarri (1 kallashnikov dhe 1 PMSH), municion luftarak, lëndë narkotike cannabis sativa dhe një radio e ngjashme me ato të Policisë.

Strukturat hetimore dhe operacionale të Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan, në bashkëpunim me ato të Komisariatit të Policisë Elbasan, falë informacioneve të siguruara nga inteligjenca informative, se një shtetas i pajisur me armë zjarri, kërkonte të vriste një 24-vjeçar të dënuar 2 herë më parë, për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve (me të cilin ishte konfliktuar para disa ditësh), kanë organizuar menjëherë punën për parandalimin e kësaj ngjarjeje kriminale.

Në kuadër të operacionit policor të koduar “Plani”, shërbimet e Policisë kanë ushtruar kontrolle të imtësishme në qytetin e Elbasanit, me qëllim parandalimin e kësaj ngjarjeje, si dhe për lokalizimin dhe kapjen e shtetasit që dyshohet se kishte planifikuar të kryente vrasjen.

Shtetasi Brikin Rusta 23 vjeç, banues në Elbasan, në pamundësi për të realizuar planin e tij, si rezultat i presionit policor në terren, në lagjen “Qemal Stafa”, në rrugën “Tomorr Sinani”, ka hedhur armën e zjarrit në rrugë dhe është larguar. 23-vjeçari është shpallur në kërkim dhe vijon puna për kapjen e tij.

Shërbimet e Policisë, në vijim të veprimeve hetimore për këtë rast, të kryera në bashkëpunim me Prokurorinë, kanë ushtruar kontroll në banesën e shtetasit Boiken Bahiti, 41 vjeç, banues në Elbasan, ku kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale, 1 armë zjarri automatik PMSH, municion luftarak, rreth 300 gramë lëndë të dyshuar narkotike cannabis sativa dhe një radio si të Policisë.

Në përfundim të veprimeve të para hetimore, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit Boiken Bahiti., si dhe u shpallën në kërkim shtetasit Brikin Rusta 23 vjeç dhe Klaudio Sulmina 22 vjeç (22-vjeçari i dyshuar bashkëpunëtor i shtetasit B. R. për kryerjen e kësaj ngjarjeje kriminale).

Strukturat hetimore të DVP Elbasan, në bashkëpunim me Prokurorinë, vijonë hetimet e thelluara, me qëllim zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje. Gjithashtu, vijon puna për kapjen e 2 shtetasve të shpallur në kërkim.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.