Transmetuar më 24-05-2023, 20:16

Organizata Freedom House në raportin e saj për “Vendet në Tranzicion”, analizon zhvillimet e vitit 2022 dhe duke u ndalur në luftën mes Rusisë dhe Ukrainës dhe impaktin global, vlerëson se në vend që t’i forconin lidhjet në rajon,”kërcënimet e sigurisë, kriza historike e refugjatëve dhe problemet ekonomike të lidhura me konfliktin, kanë thelluar hendekun mes autokracive dhe demokracive dhe kanë shkaktuar ndryshime përçarëse në politikat e jashtme të qeverive të veçanta”.

“Megjithëse disa vende bënë zgjedhje të qarta në favor të një të ardhmeje më demokratike gjatë vitit 2022, rezultati i përgjithshëm ishte një vit i 19-të me radhë të rënies së demokracisë në rajon”, thuhet në raport.

Edhe për vitin 2022, Shqipëria gjendet në kategorinë e regjimeve hibride/demokraci në tranzicion, në raportin që doli sot. Vlerësimi i përgjithshëm për Shqipërinë shënoi një përparim të lehtë në vitin 2022 në krahasim me vitin 2021, në sajë të një rritjeje të vlerësimit në luftën kundër korrupsionit.

Megjithatë treguesit e tjerë të demokracisë mbetën të pandryshuar dhe raporti thotë se institucionet demokratike të Shqipërisë sfidohen nga politika partiake klienteliste, zvarritja e procesit të vetingut në drejtësi dhe korrupsioni i shfrenuar.

“Korrupsioni mbetet i përhapur, duke kontribuar në mosfunksionimin e institucionit publik dhe duke kufizuar aftësinë e tij për të ofruar shërbime efektive. Megjithëse agjencitë e reja ligjzbatuese si SPAK, krijuar në vitin 2019, tregojnë shenja premtuese në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në nivelet më të larta, ndikimi politik mbi gjyqësorin në rastet e korrupsionit vazhdojnë ende të jenë shqetësim”, thuhet në kapitullin për Shqipërisë të raportit “Vendet në Tranzicion 2023”.

“Drejtësia bazë për shumë qytetarë shqiptarë vërtet mungon. Dhe është gjithashtu një mjedis, ashtu si pjesa më e madhe e rajonit, ku mediat e pavarura po tkurren, aktorët e shoqërisë civile janë në pozitë të vështirë, duke shtuar gjithnjë e më shumë pengesat dhe kërcënimet”, i tha Zërit të Amerikës, Alexandra Karppi, një nga autoret e raportit.

Raporti thotë se pati pak mundësi për reforma të mëtejshme para zgjedhjeve lokale të 14 majit këtë vit.

Edhe zgjedhjet lokale të 14 majit përforcuan këtë prirje.

“Zgjedhjet lokale që sapo u mbajtën në maj ishin një shembull tjetër që fatkeqësisht, për shkak të rrjeteve të kapjes së shtetit nga parti të caktuara, të bëjnë mendosh se do të shohim të njëjtën gjë. Mendoj se status quo-ja politike ka të ngjarë të vazhdojë”, thotë Karppi.

Në kapitullin për Shqipërinë, thuhet se vendi bëri pak përparim të qëndrueshëm drejt shndërrimit në një demokraci liberale të vërtetë dhe ende klasifikohet si një demokraci hibride.

"Shumica e udhëheqësve politikë shqiptarë mbetën armiqësorë ndaj vlerave liberale demokratike dhe kanë treguar pak vlerësim për faktin se barazia nën ligj dhe respektimi i shtetit të së drejtës, janë vlera të rëndësishme demokratike”, thuhet në raport.

Sipas vlerësimit të Freedom House “shumica e partive politike mbizotërohen nga udhëheqës me grusht të hekurt dhe kjo mungesë e demokracisë së brendshme partiake u demonstrua në mënyrën se si u përzgjodhën kandidatët për zgjedhjet e posaçme lokale, drejtuesit e degëve të partive lokale dhe kandidatët për zgjedhjet lokale të majit 2023 (raporti përfshin vetëm zhvillimet e vitit 2022).

Sipas raportit, përplasjet politike në Partinë Demokratike (PD) që panë një rikthim të ish-kryeministrit Sali Berisha në skenën politike dhe largimin nga drejtimi i PD-së të Lulzim Bashës pas zgjedhjeve të pjesshme lokale të 6 marsit ku në pesë nga gjashtë garat fitoi Partia Socialiste (PS) në pushtet e kryeministrit Edi Rama, mbizotëruan skenën politike të Shqipërisë në vitin 2022 dhe çarjet e mëdha mes fraksioneve partiake përkatëse vazhdojnë.

“Debati publik dhe media u përqendruan më shumë në dinamikën e brendshme të PD-së sesa në problemet sociale dhe ekonomike me të cilat përballet vendi dhe nevojën për të kërkuar llogari nga qeveria e kryeministrit Rama”, thuhet në kapitullin për Shqipërinë.

Gjatë vitit 2022, një numër gazetarësh të politikës u ndeshën me abuzime verbale, ndalim pjesëmarrjeje në konferencat për shtyp, frikësime, gjoba të mëdha dhe madje edhe padi, thotë raporti.

Në raport vlerësohet fakti që Bashkimi Evropian hapi bisedimet e pranimit me Shqipërinë në korrik 2022, të cilësuara nga Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen si një "moment historik" dhe Shqipëria organizoi në dhjetor për herë të parë jashtë BE-së, takimin e nivelit të lartë BE-Ballkani Perëndimor.

Duke pasur parasysh zgjedhjet dhe dinamikën brenda partive kryesore politike, përfshirë kthimin e zotit Berisha, mbarimin e mandatit të ish-presidentit Ilir Meta dhe kthimin e tij në politikë aktive, si edhe zgjedhjet në Partinë Socialiste, raporti vë në dukje rolin e udhëheqësve.

“Vëzhguesit pohojnë se këto zgjedhje të brendshme në tre partitë kryesore politike të Shqipërisë (PD, PL dhe PS) ishin të paracaktuara dhe të ndikuara shumë nga udhëheqësit e partive, në vend që të ishin rezultat i një konkurrence të vërtetë të brendshme partiake. Kjo nxjerr në pah demokracinë e kufizuar të brendshme partiake të Shqipërisë, ku udhëheqësit e partive ruajnë me grusht të hekurt kontrollin, me sundim autokratik”, thuhet në raport..

Përsa i takon zgjedhjes së Presidentit Bajram Begaj, raporti vë në dukje se megjithëse fillimisht u duk se pati përpjekje për një president konsensual, përfundisht “pavarësisht se (ai) u konsiderua si një kandidat apolitik, PS në pushtet e zgjodhi Begajn”, me votat e saj.

“Duke qenë se BE-ja i ka kërkuar Shqipërisë të tregojë më shumë përkushtim ndaj bashkëpunimit ndërpartiak, ekspertët argumentuan se të dyja palët humbën një mundësi për të demonstruar bashkëpunim në zgjedhjen e një kandidati të përbashkët për president”, thuhet në raport.

Kryeministri Rama bëri riorganizimin e kabinetit në korrik, duke zëvendësuar Arben Ahmetajn me Belinda Ballukun si zv.kryeministre. Shkarkimi i Ahmetajt ngjalli shqetësime në lidhje me procesin e qeverisë për dhënien e kontratave të prokurimit publik.

Duke folur për çështjen inceneratorëve, në raport thuhet se sipas vëzhguesve, nëse SPAK do të mund të provonte akuzat, ka të ngjarë të ekspozonte aktivitete korruptive të politikanëve të ndryshëm të lartë, përfshirë lidhjet me interesa të dyshimta dhe rrjete të krimit të organizuar.

Në raport thuhet se gara para që i parapriu zgjedhjes së Altin Dumanit si kryetar i ri i SPAK-ut, u karakterizua nga shqetësime për ndërhyrje të mundshme politike.

“Në prag të votimit, ambasadorja e Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara, Yuri Kim shprehu shqetësimin për presionin politik në zgjedhjen e kreut të SPAK, të cilin qeveria shqiptare e hodhi poshtë”, thuhet në raport.