Transmetuar më 24-05-2023, 16:13

Duket se nuk ka më dilema. Ish-kreu i PD-së Lulzim Basha nis sot (24 maj) pasdite rikthimin në politikë.

Ai do të zhvillojë të mërkurën pasdite në orën 17:00 një takim me të rinj në një nga hotelet e kryeqytetit.

Kjo lëvizje e paralajmëruar vjen pas humbjes në zgjedhjet e 14 majit, dorëheqjes së Enkelejd Alibeajt si kreu i Komanduar i PD-së zyrtare dhe Kryetar i Grupit Parlamentar.

Alibeaj në krye të grupit e pasoi Gazmend Bardhi, ndërsa PD-ja e vulës do të bëhet gati për procesin e zgjedhjes së kryetarit, të cilin duket se Basha e synon pas më shumë se 1 viti e ca heshtje që kur dha dorëheqjen.

Njerëz pranë tij tregojnë se nga Tirana, takimet e Bashës pritet të shtrihen në qytete të tjera të vendit.

Ndërkohë edhe nënkryetari i Parisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj në një prononcim për media la të hapur mundësinë e rikthimit të Lulzim Bashës në politikë.

Alibeaj u shpreh se çdokush ka të drejtë të kandidojë për kryetar për të marrë drejtimin e Partisë Demokratike, ndërsa shtoi se procesi vendoset nga anëtarësia me votim të rregullt dhe të drejtë.

“Sot është e rëndësishme të ketë një PD që nuk varet nga emrat, janë rregullat, standardet, rregullat e zgjedhjes. Përgjigja më e pastër është kjo, një parti që të mos jetë në varësi të emrave individualë, shkrifërimi i partisë, anëtarësi kjo është e rëndësishme. Çdokush ka të drejtë të kandidojë. Anëtarësia e vendos me votim të rregullt dhe të drejtë”, tha ai.