Transmetuar më 23-05-2023, 12:29

Neymar nuk gjeneron konsensus askund. As te PSG dhe as te Manchester United, klube me të cilët është lidhur për sezonin e ardhshëm. Pavarësisht se çfarë mund të ndodhë në verë, deri më tani nuk ka pasur negociata mes dy klubeve për futbollistin brazilian, me kontratë në kryeqytetin francez deri në vitin 2027.

Neymar, në “infermieri” që nga marsi, pasi iu nënshtrua një operacioni në kyçin e këmbës, po kalon një sprovë tjetër të karrierës. Ai nuk do të stërvitet më deri në korrik, pavarësisht se prej disa kohësh është duke u rehabilituar, fillimisht në Brazil dhe tani në “Camp des Loges”.

Mjedisi i tij siguron që në moshën 31-vjeçare ende e sheh veten të aftë për të vazhduar në nivelin më të lartë, për të paktën dy ose tri sezone të tjera, por dëmtimet e tij të shumta ndër vite nuk gjenerojnë besim as për PSG-në dhe as për ato klube që mund ta marrin në konsideratë.

Neymar nuk e bind Manchester United, i cili nuk mund të përballojë më shumë gabime strukturore. Me Ten Hag, klubi nag “Old Trafford” ka fituar “Carabao Cup”, një sukses i vogël, por i rëndësishëm në këtë proces rikuperimi gradual.

Sezoni mund të përfundojë në mënyrën më të mirë, nëse fitohet “FA Cup” kundër Manchester City që tani duket i pandalshëm. Dhe në prapavijë, kualifikimi në Ligën e Kampionëve. “Old Trafford” do ta shijojë sërish elitën kontinentale.

Në këtë kontekst, Neymar shihet më shumë si problem sesa zgjidhje. Ten Hag ka rikuperuar Rashford-in, i ka dhënë vazhdimësi Antony, ndërsa Bruno Fernandes është i paprekshëm. Repartit të përparmë të “Djajve të Kuq” i mungon një sulmues “rrace”. Asgjë tjetër.

Klubi ka nevojë për qetësi, ndërsa braziliani është ekspert i kaosit. Në Manchester nuk iu pëlqen jeta e çrregullt që bën braziliani dhe paga e lartë është gjithashtu një tjetër handikap për t’u marrë parasysh.

Te PSG e konsiderojnë lojtarin në fjalë, të blerë për 222 milionë euro nga Barcelona, të amortizuar pas gjashtë vitesh. Pavarësisht se nuk e ka fituar Ligën e Kampionëve, klubi parizien ka bërë një hap gjigant përpara në planin komercial.

Ajo që nuk ka mundur të rritet nga njëra anë, është bërë nga ana tjetër. Por në këtë pikë, te PSG ka shumë më tepër njerëz që janë pro largimit të tij sesa vazhdimësisë së brazilianit.