Transmetuar më 22-05-2023, 18:57

Ish-imami dhe këshilltari i kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Drilon Gashi, është shkarkuar nga detyra pasi akuzohet për dhunë ndaj bashkëshortes së tij.

Lajmin e ka bërë të ditur Ilir Kërçeli, shefi i kabinetit të Konjufcës, i cili deklaroi se Gashi është liruar nga detyra.

“Këshilltari Drilon Gashi është liruar nga detyra,” u shpreh ai.

Në vendim thuhet se Gashi për shkak të disa mosmarrëveshje, e ka goditur gruan e tij me grushta dhe dru, duke i shkaktuar lëndime të lehta në trup. Kjo ishte interpretuar ndryshe më pas nga ana e gruas së tij, që kishte deklaruar se mes tyre kishte ndodhur një “zënkë” dhe se bashkëshorti i saj, Driloni, kishte pranuar edhe gjëra të cilat nuk kishin ndodhur.

"Para 5 viteve, gjatë procesit gjyqësor, burri im pranoi disa fakte që në të vërtetë nuk ndodhën kurrë, por ai e bëri këtë për të përfunduar sa më shpejt situata dhe për të rikuperuar marrëdhënien tonë. Ne në atë kohë nuk kishim as avokat me vete dhe fjalët që janë shkruar në procesverbal as që na kanë interesuar më vonë", tha Teuta Mahmutaj, bashkëshortja e Gashit.