Transmetuar më 17-05-2023, 19:00

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, njoftoi sot mbledhje mbledhje kryesie të kësaj partie të premten në mesditë duke paralajmëruar se kjo forcë politike e copëtuar pret rikthimin e Lulzim Bashës në detyrën e kryetarit.

Bardhi, në deklaratën e tij, e cilëson mungesën e Bashës si një "mungesë të tejzgjatur", duke cituar statutin e PD:

"Sipas nenit 46 te Statutit në mungesë të zgjatur të kryetarit dhe me autorizim të tij, njëri prej tyre zëvendëson Kryetarin".

Ndërsa në vijim, paralajmëron se presin ende që Basha të rikthehet në krye të PD:

"Në mungesë të këtij autorizimi, duke përfshirë rastet e dorëheqjes nga detyra të Kryetarit, Sekretari i Përgjithshëm mbledh Këshillin Kombëtar, i cili komandon Nënkryetarin që do të drejtojë Partinë deri në rikthimin e Kryetarit në detyrë apo zgjedhjen e Kryetarit të ri."

Lulzim Basha dha dorëheqjen publikisht  21 mars 2022, nëntë vjet pasi mori drejtimin e Partisë Demokratike, partisë më të madhe të opozitës.

Atëherë ai tha se përpjekja e tij për bashkimin e PD-së dështoi dhe se po e ndërmerrte këtë hap për të ndihmuar demokratët të lënë mënjanë ndasitë joparimore".

Gjithsesi dorëheqjen ai nuk e kishte depozituar në gjykatë sipas ligjit dhe de jure mbetet kryetar i PD edhe pse de facto dhe publikisht ka shpallur dorëheqjen.

Dorëheqja e Bashës erdhi disa ditë pasi u zhvilluan zgjedhjet e pjesshme vendore ku PD e tij doli pa asnjë fitues kundrejt Berishës që mori Shkodrën.

Partia Socialiste fitoi 5 nga 6 bashkitë në cilat u zhvilluan zgjedhje. PS fitoi Durrësin, Rrogozhinën, Dibrën, Lushnjën dhe Vorën. Koalicioni Shtëpia e Lirisë fitoi Shkodrën, ndërsa PD e Bashës nuk mori asnjë bashki.

Pas këtij rezultati, mbështetësit e Bashës kërkuan dorëheqjen e tij nga partia. /noa.al