Transmetuar më 04-05-2023, 10:00

Nga Pastor Akil Pano

Aeroporti i Tiranës më ngjall trishtim. Ndjej trishtimin e shokëve, miqve, të rinjve, familjeve që largohen pa e kthyer kokën prapa. Trishtim pafuqie dhe dorëzimi i pështjelluar me ndjesi tradhëtie prej klasës politike që i braktisi shqiptarët rrugëve të botës.

Ata që përzuri i turpëroi, ata që qëndruan, i robëroi. I turpëroi, pasi u nisën nga malet dhe deti. Në këmbë dhe me gomone. U fshehën nga ushtarët, ishin të ndjekur prej policëve. Fjetën nën shkurre dhe mbi pemë, në bodrume dhe nën ura.

Ndryshuan emrin, fenë, identitetin kombëtar. U hoqën si të huaj. U zbuan, u nisën, u zhdukën, mbërritën. U përballën si askush në botë me frikën, pasigurinë, padijen, të ndryshmen, por luftuan. Disa fituan, të tjerë vijojnë të luftojnë, disa tërhiqen, disa qëndrojnë. Këta të fundit, ku bëj pjesë dhe unë, përballen çdo ditë me robërimin.

Një komb pa etër të gjallë, që udhëhiqet prej inferiorëve të vet, kërcënohet si asnjëherë më parë në historinë e tij nga tjetërsimi. Shqipëria që ripopullohet do të përballet me tjetërsimin e rracës, gjuhës, kulturës dhe fesë, traditës dhe historisë.

Trishtim sepse, pasi të parët tanë luftuan dhe fituan me armiqtë e huaj, ne humbëm betejën më të madhe që Zoti na kishte zgjedhur të luftonim dhe fitonim. Humbëm betejën me veten, luftën për të ndërtuar njeriun, familjen, atdheun.

Dhe kur e mendoj… për çfarë dhe si? Humbëm sepse ia deleguam arsyen disa njerëzve që na robëruan. Zgjodhëm ‘gjeneralë’ burrecë që shitën betejat kombëtare në këmbim të mirëqënies dhe komoditetit. Trishtimi është i madh, por ende s’ka mbaruar.

Ka gjithnjë shpresë në raundin final për heroin që ndeshet dhe nëse i ka humbur me pikë raundet e tjera. Dhe nëse është rrëzuar dhe mezi mbahet në këmbë, për heroin ka shpresë. Ai mund të ngrihet, ende bota pret të shohë që ai mund të fitojë. Ka shpresë për shqiptarët dhe Shqipërinë në raundin final!