Transmetuar më 26-04-2023, 15:41

Një nga kopjet e librit të shenjtë të Kuranit, me përmasat e vogla të barabarta me ato të një pulle poste, ndodhet në Shqipëri. Libri është në pronësi të familjes Prushi, që e ka trashëguar këtë pasuri të çmuar brez pas brezi.

45-vjeçari shqiptar zotëron librin e shenjtë me përmasat e një pulle poste.

Rituali është gjithmonë njësoj. Mario Prushi lan me kujdes duart dhe fytyrën përpara se të puthë dhe të vendosë në ballin e tij një nga Kuranët më të vegjël në botë.

Për breza me radhë, libri me përmasat e një pulle poste është trashëguar në familjen e tij, duke u mbijetuar luftrave dhe regjimit fanatik komunist që nuk lejonte fetë.

Ekspertët thonë se është një nga Kuranët më të vegjël në qarkullim, me librin e vogël që mbahet brenda një kutie argjendi, e nxirë me kalimin e viteve.

“E kemi trashëguar nga brezi në brez me një përkushtim absolut”, tregon 45-vjeçari Prushi për agjencinë e lajmeve “AFP”, nga shtëpia e tij në Tiranë.

Vetëm 2 centimetër i gjerë dhe 1 centimetër i hollë, libri thuajse zhduket në pëllëmbën e pronarit të tij dhe mund të lexohet vetëm me një xham zmadhues.

Është e vështirë të përcaktosh se kur daton ky Kuran, në mungesë të analizave shkencore, por sipas studiuesit Elton Karaj, libri me 900 faqe ka nisur të qarkullojë që prej shekullit të 19-të.

“Ky Kuran është printuar në një format shumë të vogël, është ndër më të vegjlit në botë. Në pamje të parë mund të them se publikimi i tij daton nga fundi i shekullit të 19-të”, thotë Karaj.

Për ekspertin bëhet fjalë për një vepër të jashtëzakonshme dhe me shumë vlerë. “Jemi me fat që kjo kopje është në Shqipëri”, thotë ai.