Transmetuar më 26-03-2023, 23:52

Bruksel- Komisioni i BE-së paraqiti para ekspertëve të shteteve anëtare një propozim për rishikimin e rregullave në lidhje me datën e skadencës së ushqimeve. Ai kërkon përfshirjen në etiketë të fjalëve “shpesh është i mirë edhe pas skadencës” pas termit standard “preferohet të përdoret para…”.

Ushqimet e skaduara përfundojnë shpeshherë në koshin e plehrave, sepse shumica e njerëzve besojnë se pasi të kalojë data e skadencës në etiketë, ato mund të jenë të dëmshme për shëndetin. Por fakt është se ka shumë ushqime që mund të konsumohen edhe disa ditë, javë apo edhe muaj pas datës së skadencës.

Prandaj për të shmangur shpërdorimin e panevojshëm të ushqimit, Brukseli po punon për hartimin e rregullave të reja.

Sipas Brukselit, shtesa e kësaj fraze është një ndihmë më shumë në luftën kundër mbetjeve ushqimore, pasi mundëson “një kuptim më të mirë të datës së skadencës”, duke ndikuar “procesin e vendimmarrjes së konsumatorëve në lidhje me mundësinë për ta konsumuar apo eliminuar një ushqim”.

Kërkesa për zgjatjen e afatit nuk është asgjë e re. Për shembull në vitin 2020, në mesin e emergjencës së pandemisë, kompania italiane Granarolo kishte kërkuar gjithashtu që të zgjaste datën e skadencës të qumështit të freskët.

Ushqimet që mund të hahen pas datës së skadencës…

Përpara se të hidhni në koshin e mbeturinave ushqimet që janë ende të mira, këshillohet gjithmonë që të bëni dallimin midis ushqimeve që mund të hahen pas datës së kadencës, dhe atyre që duhet të hidhen pa mëdyshje se përbëjnë rrezik për shëndetin tonë.

Natyrisht, është gjithmonë mirë të kihet parasysh që mënyra e ruajtjes mund të ndikojë gjithashtu nëse një ushqimi mund të jetë ose jo i konsumueshëm edhe pas datës së skadencës. Në parim, ushqimet që konservohen për një kohë të gjatë dhe ushqimet e thata pa ujë ruhen më mirë.

Ndaj ato mund të konsumohen të sigurta edhe pas datës së skadencës (si për shembull orizi dhe makaronat). Nga ana tjetër, vezët mund të konsumohen edhe brenda 3 ditëve nga kalimi i datës së skadencës dhe kosi deri në 2 javë (problemi i vetëm është nga pikëpamja ushqyese: pas skadimit rritet aciditeti).

Për bishtajoret e thata dhe të konservuara, koha e skadencës është më e gjatë, gjithmonë pas një kontrolli të pamjes dhe aromës që lëshojnë. E njëjta gjë vlen edhe për miellin e bardhë, në krahasim me miellin integral, që mund të prishet për shkak të përmbajtjes së lartë të fibrave. Edhe biskotat mund të hahen disa kohë pasi të kenë skaduar.

… Dhe ato që nuk mund t’i konsumoni

Mishrat dhe salsiçet e skaduara mund të jenë të dëmshme në rast se hahen pas datës së skadencës, sidomos nëse kanë një erë të keqe, pasi mund të na ekspozojnë ndaj rrezikut të prekjes nga listeria (gjithsesi në përgjithësi proshuta e ruajtur në qese në vakuum është e ngrënshme edhe përtej datës së skadencës).

Mishi i freskët meriton vëmendjen e duhur, dhe nëse konsumohet pas datës së skadencës rrezikon të shkaktojë efekte të pakëndshme si salmonela apo Esheria Coli.

Produktet e qumështit të freskët janë ndryshe nga kosi. Pas skadencës ato mund të shkaktojnë helmim nga ushqimi, ndërsa lëngjet e frutave të skaduara mund të përmbajnë baktere dhe të shkaktojnë çrregullime të zorrëve.

Së fundmi, nëse konsumohen pas datës së skadencës produkte si luleshtrydhet, mjedrat dhe boronicat, mund të zhvillojnë një parazit të quajtur ciklospora në një kohë që perimet me gjethe jeshile mund të jenë bartës të baktereve si E. Coli.