Transmetuar më 24-02-2023, 10:37

Nga Lutfi DERVISHI

Absurdistani, një vend i njohur për skandale të përditshme, po kalon një moment krizë të rëndë politike pikërisht nga mungesa e skandaleve. Investitorët vendas dhe të huaj janë të shqetësuar për këtë zhvillim të papritur, që ka tronditur tregjet, ndërsa kompanitë e basteve po rrezikojnë falimentimin për shkak të luhatjeve të mëdha me koefiçientët.

Analistët politikë e shpjegojnë krizën me faktin se kryeministri dhe gjysma e qeverisë gjenden përkohësisht jashtë shtetit. “Askush nuk e priste këtë. Është më lehtë të parashikosh tërmetin, sesa një situatë të pa imagjinueshme që të kalojnë tre ditë dhe të mos ketë një skandal për të qenë”- tha një përfaqësues i opozitës.

Grupi i juristëve pranë partisë më të madhe të opozitës po përgatit një padi penale për kryeministrin dhe gjysmën e kabinetit që kanë braktisur vendin dhe kanë futur vendin në një krizë të pa precedent.

Opozita e mësuar me konferenca shtypi dhe mitingje ndaj skandaleve ka mbetur si peshku pa ujë. Por media është ajo që po vuan më shumë se ekonomia mungesën e skandaleve. Për herë të parë në historinë moderne të Absurdistanit gazetarët iu rikthyen një skandali që kishte ndodhur një javë më parë, ose më saktë plot 168 orë!

Një diplomat i huaj tha se “Absurdistani vërtet ka bërë një reformë në drejtësi, por këtu njerëzit jane mësuar që gjyqet t’i shohin në emisionet e darkës në televizion. Mungesa e skadaleve ka krijuar një boshllëk që nuk është lehtë të mbushet.”

Por për një burim nga Brukseli, familjar me çështjet e Absurdistanit, kriza vetëm sa ka filluar. “Ky vend ka një histori tragjike, ka përjetuar pushtime të gjata, jetë nën diktaturë, jetë nën mjerim dhe sërish ja ka dalë. Por nuk janë mësuar të jetojnë pa skandale.

Kriza e tanishme po na kujton se është një brez i tërë që është rritur me skandale dhe tani është i çoroditur. Ne po e monitorojmë situatën me kujdes dhe i bëjmë thirrje opozitës të tregohet e duruar".

Thirrjet nga Brukseli duket se kanë rënë në vesh të shurdhër. Koalicioni opozitar i dha sot një ultimatum qeverisë që nëse nuk prodhon një skandal për të qenë brenda 72 orësh, situata mund të dalė jashtë kontrollit.

“Skandalet në këtë vend janë një lloj karburanti që vë në lëvizje gjithçka. Mungesa e skandaleve do të shkaktojë pasoja në ekonomi, por ndikimi i parë do të jetë në klimën politike në vend”, i tha një një ekspert ekonomie agjencisë Reuter.

Ai shtoi se qeveria duhet të nxitojë sepse në këtë vend, “një qeveri pa skandale është si peshku pa luspa”, – nuk lëviz dot.