Transmetuar më 02-02-2023, 20:55

Presidenti serb Aleksandër Vuçiç ka prezantuar një plan pune me 10 pika ku ndër të tjera bëhet obligatore që Serbia mos të kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në institucionet ndërkombëtare. Bëhet fjalë për një plan që ka si referencë planin franko-gjerman që po diskutohet në arenën politike të Beogradit.

Plani u prezantua sot në një seancë parlamentare maratonë që po zhvillohet për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.

Presidenti Aleksandër Vuçiç tha se tani në fokus janë normalizimi i marrëdhënieve me Prishtinën dhe përmirësimi i jetës së serbëve në Kosovë.

Vuçiç tha se për serbët, më e keqja e planit franko-gjerman është propozimi evropian, ku thuhet se “Serbia nuk do ta kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në institucionet ndërkombëtare”.

10 pikat e prezantuara nga Vuçiç:

Pika 1: Politika serbe do të jetë ruajtja e paqes dhe stabilitetit. Me çdo mjet dhe me çdo kusht do të përmbahemi dhe s’do t’i përgjigjemi provokimeve nëse nuk kërcënohet jeta dhe prona e njerëzve, sepse paqja dhe stabiliteti nuk janë sllogane, është diçka që sjell jetë në Serbi, e cila na lejon të ruajmë mbijetesën biologjike të popullit tonë.

Pika 2: Këmbëngulja në formimin e Asociacionit të Komunave Serbe, e cila duhet të jetë kornizë ligjore dhe fizike për të drejtat e popullit serb dhe organizimin e tyre në Kosovë dhe Metohi, me mbështetjen e Serbisë, të cilën askush nuk duhet ta pengojë.

Pika 3: Siguri për serbët në Kosovë dhe Metohi, që askush të mos shqetësohet kur fëmija dërgohet në shkollë, sepse ka emër dhe mbiemër serb.

Pika 4: Jetë më e mirë për popullin serb në Kosovë dhe Metohi.

Pika 5: Të diskutohet dhe negociohet për të gjitha temat që kanë të bëjnë me të gjitha çështjet kyçe lidhur me bashkëpunimin e serbëve dhe shqiptarëve se në çfarë mënyre përfaqësohen ata në ndonjë organ.

Pika 6: Ruajtja e interesave jetike shtetërore dhe kombëtare, ruajtja e vendimmarrjes sonë të pavarur, që askush të mos na ndërhyjë, të mos shkojmë në Uashington, Moskë apo Bruksel për të marrë mendim, që vendimet të merren vetëm në Serbi, duke respektuar Kushtetutën e Serbisë.

Pika 7: Interesi jetik serb është të qëndrojmë në rrugën evropiane sepse rruga evropiane nënkupton investime dhe standarde, paga dhe pensione.

Pika 8: Rritja e Serbisë, energjia, ushqimi dhe ushtria, ku ushqimi është shumë i rëndësishëm, ushtria duhet të jetë dy-tre herë më e fortë se sot, sepse e ka ruajtur popullin serb në Kosovë e Metohi. Ne kemi nevojë për zhvillimin e shëndetësisë, në të cilën duhet të investojmë më shumë.

Pika 9: Vazhdimi i bisedimeve, nuk i ndalim bisedimet, sepse do të ishim plotësisht të izoluar, askush nuk do të fliste me ne dhe nuk mund të funksionojmë të vetëm në botën moderne.

Pika 10: Pavarësisht të gjitha krizave, pagat do të rriten, do të arrijmë në standardet e disa vendeve të BE-së dhe kjo do t’i kthejë njerëzit në Serbi.