Transmetuar më 20-01-2023, 08:41

Për të gjithë ne është e qartë se puna është e rëndësishme për të nxjerrë të ardhura që të përballojmë jetesën dhe mbajtja e saj ndikon direkt në mirëqenien tonë.

Megjithatë, shpesh gabojmë duke rrezikuar vendin e punës dhe kështu bëhemi objekt ndryshimi të herëpashershëm që më së paku sjel mungesë stabiliteti.

Ndaj lind pyetja: Vërtet dëshironi të rrezikoni punën tuaj duke thënë diçka të pamenduar?

Patjetër që jo.

Dhe prapë, njerëzit bëjnë vazhdimisht komente të pamenduara mirë që pa kuptuar dëmtojnë karrierën e tyre.

Blogu LinkedIn Learning Blog ka renditur 5 shprehje që përdoren shumë, por duhet të shmangen:

1-‘Kjo nuk është puna ime’

Përdoret kur dikush kërkon për ndihmë lidhur me diçka që mendojnë se është jashtë përshkrimit bazë të punës. Në vend që të shpenzoni kohë duke ndihmuar apo duke thënë thjesht jo, ju vendosni të thoni këtë shprehje, por shpesh pendoheni menjëherë.

Një mënyrë më e mirë: Nëse nuk keni kohë të ndihmoni dikë në këtë moment, thojini që nuk mund ta bëni ose që mund ta bëni më vonë. Puna juaj është të jeni të dobishëm, kështu që, të ofroni ndihmë aty ku mundeni, është pjesë e punës suaj.

2-‘E kemi provuar këtë më parë’

Përdoret kur, dikush ka qenë pjesë e kompanisë për më pak kohë se ju, sugjeron një ide. Në vend që t’i dëgjoni, ju ia refuzoni idenë me këtë frazë.

Një mënyrë më e mirë: Dëgjojini. Mbase ajo që po propozohet vërtet mund të jetë provuar më parë, por mund të mos jetë realizuar siç duhet. Gjithmonë ka vend për ta provuar.

3- ‘Nuk ka buxhet për këtë’

Përdoret kur një person ka një ide pas të cilës është shumë i apasionuar. Në vend që ta dëgjoni dhe të vlerësoni meritën, ju e refuzoni duke thënë nuk ka mjaftueshëm para.

Një mënyrë më e mirë: Idetë e mëdha duhet të financohen, ose mbase ka një mënyrë për ta bërë me buxhet minimal. Por të vrisni çdo ide të re është një mënyrë e sigurt për të minimizuar kreativitetin e ekipit tuaj.

4- ‘Të thashë’

Përdoret kur një koleg ka një ide, dhe ti thua që kjo është një ide e keqe, por ata e bëjnë gjithsesi. Dhe dështojnë. Sikur kjo të mos mjaftonte, ju i kërceni sipër me këtë.

Një mënyrë më e mirë: ‘Të thashë’ nuk ka ndihmuar ndonjëherë njeri. Një mënyrë më e mirë këtu është thjesht – heshtje.

5- ‘Kjo nuk e ndjek procedurën’

Përdoret kur dikush ka një ide që nuk përputhet me standardet që ka kompania juaj në mënyrën sesi operon.

Një mënyrë më e mirë: Shumë rregulla nuk janë absolute, nëse një procedurë bllokon procesin, ndryshoje. /noa.al