Transmetuar më 28-11-2022, 12:45

Greqi- Doli sot para gjykatës 26-vjeçari shqiptar që përplasi të renë greke në Selanik.

Ai ka kërkuar falje dhe mediat greke raportojnë se ka qëndruar vetëm pesë minuta në zyrën e hetimit. Gjithçka që raportohet se ka thënë ishte “ngushëllime të përzemërta familjes. Nuk është momenti që unë të jap justifikime”, ndërkohë që ka depozituar edhe një memorandum me kërkesat e tij.

Shqiptari akuzohet për veprën penale të drejtimit të rrezikshëm të automjetit me pasojë vdekjen, si dhe për braktisjen e një aksidenti trafiku dhe drejtimin e automjetit pa patentë përkatëse (kundërvajtje). Vepra penale dënohet me burgim deri në 15 vjet.

Gjithashtu, 26-vjeçarit iu dorëzua edhe vendimi për dëbim nga vendi, pasi u konstatua se ai banonte në mënyrë të paligjshme në vend pa leje qëndrimi dhe për këtë arsye është ndaluar që të enjten e kaluar. Bëhet e ditur se vendimi i dëbimit do të hyjë në fuqi pas gjykimit të çështjes, pasi 26-vjeçari pritet të caktohet në masën e paraburgimit.

Pasagjerja 19-vjeçare e mjetit ka kaluar nga dera e hetuesisë pak para orës 10:00 dhe në këtë kohë ka kërkuar falje. Dy të pandehurit më pas do të çohen së bashku te prokurori publik.