Ndërsa Brazili mbetet pezull për kushtet e Danilos dhe (mbi të gjitha) Neymar, trajneri Tite nuk e humb optimizmin: "Unë mendoj se të dy do të vazhdojnë të luajnë në Kupën e Botës. Klinikisht është e mundur, më thanë mjekët dhe mendoj se do të mund t’i përdorim sërish”.
Kjo është deklarata e pesë herë kampionëve të botës në prag të ndeshjes kundër Zvicrës "shqiptare", në formacionin startues të së cilës luajnë Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri, e dyta për amerikano-jugorët pas asaj të fituar ndaj Serbisë në debutimin e tyre në grupin G.
Dhe pikërisht në ndeshjen hapëse, Neymar (i cili do të mungojë për të paktën dy ndeshje dhe shpreson të rikuperohet për 1/8 finale), ishte detyruar të largohej nga fusha për shkak të një dëmtimi në kyçin e këmbës, të shkaktuar nga një ndërhyrje shumë e vështirë e Milenkoviçit.
"Kam bërë një gabim me Neymar, nuk e kuptova menjëherë se çfarë kishte ndodhur, por pati një seri faullesh ndaj tij, – u ankua Tite. – Nëse duam të shpërblejmë shfaqjen, duhet të jemi të kujdesshëm dhe mbi të gjitha të mbrojmë lojtarët e mëdhenj. Këto faulle duhet të ndalohen”.
Për sa iu përket zëvendësuesve, trajnerit Tite ruajti konfidencialitetin maksimal. "Tashmë e kam parasysh skuadrën që do të luajë ndaj Zvicrës, por nga zakoni e shpall vetëm kur do të dalim në fushë. Megjithatë, do të shohim nëse duhet të ndryshoj karakteristikat e disa lojtarëve të mi.
Eder Militao ka luajtur tashmë si anësor i djathtë, Dani Alves është më shumë një ndërtues aksionesh. Cili do të luajë në vend të Neymar? Unë them që po del një brez, që është mbresëlënës.
Mund të shihni finalizimet e Antony, asistet e Vinicius, krijimtarinë e Richarlison, kur vjen puna për të konkukduar aksionet, një goditje e bukur me kokë nga Pedro dhe Gabriel Jesus, të cilët mund të kishin shënuar tashmë kundër Serbisë. Rodrygo? Kur vrapon, ai duket se e bën këtë me topin ngjitur në këmbë. Morali i historisë? Nuk do t’jua tregoj formacionin”.