Transmetuar më 27-11-2022, 23:03

Dy emrat më të lakuar gjatë periudhës së luftës në Ukrainë, Presidenti Volodymyr Zelenskyy dhe kryebashkiaku i Kievit, ish-boksieri Vitali Klitschko janë përfshirë në një përplasje në distancë. Zelenskyy kritikoi kryebashkiakun e Kievit se kishte bërë një punë të dobët pë ngritjen e një strehimoreje emergjente për të ndihmuar ata që nuk kanë energji dhe ngrohje pas sulmeve ruse.

Në vazhdën e sulmeve dërrmuese të raketave ruse kundër sistemit të gjenerimit të energjisë, Ukraina ka krijuar mijëra të ashtuquajtura "qendra të pathyeshme" ku njerëzit mund të kenë akses në lidhje me nxehtësinë, ujin, internetin dhe telefonin celular. Në një fjalim, Zelenskyy tregoi se kryetari i bashkisë së Kievit Vitali Klitschko dhe zyrtarët e tij nuk kishin bërë mjaftueshëm për të ndihmuar.

“Për fat të keq, autoritetet lokale nuk kanë performuar mirë në të gjitha qytetet. Në veçanti, ka shumë ankesa në Kiev. Për ta thënë butë, nevojitet më shumë punë,” tha ai, duke shtuar se niveli i shërbimeve të disponueshme në shumë qendra të Kievit nuk ishte mjaftueshëm i mirë.

“Ju lutemi kushtoni vëmendje, njerëzit e Kievit kanë nevojë për më shumë mbështetje, shumë prej tyre kanë qenë pa energji për 20 apo edhe 30 orë. Presim punë cilësore nga zyra e kryetarit,”_ tha prerë Zelenskyy.

Por këto kritika kanë marrë një përgjigje sot. Kryebashkiaku i Kievit i përshkroi ato si “të pakuptimta” në mes të luftës. Klitschko tha se 430 “qendra ngrohjeje” po i ndihmonin banorët të përballonin efektet e sulmeve ruse në termocentralet dhe më shumë se 100 të tjera ishin planifikuar në rast të kushteve ekstreme.

“Nuk dua të përfshihem në beteja politike, veçanërisht në situatën aktuale. Kjo është e pakuptimtë. Kam gjëra për të bërë në qytet”, shtoi ai.