Transmetuar më 27-11-2022, 18:23

TIRANË- Kanë dhënë sot dëshmitë Sajmir Muzikanti, 39-vjeç bashkë me oficerin e rendit të komisariatit nr.1, Serxhio Cani 22 vjeç. Ata akuzohen se u merrnin para me forcë qytetarëve të moshave të ndryshme. Muzikanti ka rrëfyer se i grabiste qytetarët dhe u merrte para në mënyrë që mos t’i arrestonte, kryesisht përdoruesit e hashashit, pasi kishte një kredi për të paguar. Këtë gjë e ka thënë vetë 39-vjeçari.

“Sa herë që isha turni i tretë në punë merrja në telefon Serxhion dhe i thoja hajde dalim nga Liqeni. Për shkak të kredisë që kam detyrohesha t’u merrja paratë me zor qytetarëve. Këtë gjë e kam bërë në bashkëpunim me Serxhion,”- ka dëshmuar ai.

Ndërsa Serxhio Cani, me detyrë polic patrulle ka mohuar se është përfshirë në grabitje, pavarësisht se provat e mbledhura e nxjerrin bashkëpunëtor. Të dy policët, vepronin kryesisht në zonën e Liqenit Artificial sapo binte errësira. Ata ndalonin përdoruesit e kanabisit dhe i kërcënonin me arrestim. Për të mos iu vënë prangat, qytetarët u jepnin para apo sende me vlerë që kishin me vete. Ndalimet ishin bërë të shumta dhe qytetarët nisën të depozitonin kallëzime kundrejt dy efektivëve.