Transmetuar më 27-11-2022, 14:10

KOSOVË-Një skandal është publikuar ditën e sotme ku logopedi nga Gjilani, Iljasa Fazliu është arrestuar dje nën dyshimin se ka abuzuar psikologjikisht me një vajzë 5-vjeçare që ka qenë e diagnostifikuar me autizëm.

Në njoftimin e policisë së Gjilanit thuhej se përveç Fazliut në pranga janë vënë dhe dy persona të tjerë në lidhje me ngjarjen, familjarë të së miturës, të cilët pasi kanë dëgjuar videoincizimin kanë dhunuar mjekun.

Sinjali ka publikuar momentin kur dy familjarët e së miturës kanë hyrë në ambjentet e një lkoali ku ndodhej logopedi dhe kanë nisur ta gjuajnë dhe dhunojnë.

“SULM NDAJ PERSONIT ZYRTAR & TRAJTIM I PANDËRGJEGJSHËM MJEKËSOR | Rr. Mulla Idrizi, Gjilan 26.11.2022 – 12:52. Janë arrestuar tre të dyshuar meshkuj kosovarë, dy prej tyre pasi që kanë sulmuar fizikisht të dyshuarin e tretë i cili është mjek, të cilit i kanë shkaktuar lëndime. I dyshuari i tretë është arrestuar për shkak të dyshimit se ka kryer veprën trajtim i pandërgjegjshëm mjekësor dhe për shkak të sulmit ka pranuar tretman mjekësor. Me vendim të prokurorit, të dyshuarit pas intervistimit janë dërguar në mbajtje”, thuhet në raport.

Në videoincizimin e publikuar ditën e sotme dëgjohet Fazliu teksa i bërtet dhe ofendon me fjalë banale 5-vjeçaren në mënyrë që ajo të ndalojë së qari.