Transmetuar më 26-11-2022, 11:15

Lautaro Martinez hap konferencën për shtyp të Argjentinës para ndeshjes kundër Meksikës: "Ne jemi të përgatitur për këtë sfidë. Me Arabinë Saudite humbëm për detaje, për gabimet tona. Tani mendimet tona kanë të bëjnë vetëm me Meksikën.

Sigurisht që ishim të trishtuar pas disfatës në ndeshjen e parë, por kështu është në një Botëror. Nuk kemi kohë për të parë prapa. Duhet të mendojmë vetëm për të fituar me këtë fanellë. Nesër do të shohim një Argjentinë të fortë, ashtu siç duhet".

Mbase një shtysë do të japë edhe Diego Maradona, 2-vjetori i vdekjes së të cilit ishte pikërisht dje. Prezencë e vazhdueshme në mendimet dhe pyetjet e shumë gazetarëve argjentinas të pranishëm. "Diego ishte një person shumë i rëndësishëm, për ne argjentinasit dhe për të gjithë botën. E kujtojmë mirë. Të shtunën duam t’i dhurojmë një buzëqeshje duke fituar", – shton "Toro".

Lautaro është në Botërorin e tij të parë. Presioni është i natyrshëm: "Ka ankth të përzier me entuziazëm, shumë gjëra më vijnë në kokë, por kur arbitri vërshëllen, gjithçka zhduket. Tani le të mendojmë pozitivisht. Duam vetëm të fitojmë. Do të duhet ta ruajmë qetësinë në fushë, Meksika do të luajë shumë me topin".

Dhe përsëri ndalet te disfata në ndeshjen e parë me Arabinë Saudite: "Ishte një goditje e rëndë, padyshim. Nuk e menduam se do ta jetonim këtë situatë, por jemi një grup i fortë, i bashkuar. Ne e dimë se çfarë duam edhe në fatkeqësi, e kemi treguar tashmë në të kaluarën.

Na pret një ndeshje e rëndësishme për të ardhmen tonë. Është një finale, gjithçka që kemi brenda si skuadër duhet ta japim në fushë. Katastrofë nëse humbasim? Nuk e ndjejmë presionin, ka shumë lumturi tek ne, shumë argëtim si në ndeshje, ashtu edhe në stërvitje. Kemi besim në punën tonë”.