Transmetuar më 25-11-2022, 19:47

TIRANË- Detaje të reja në lidhje me operacionin e zhvilluar në Fier.

Grupi hetimor ka gjetur në laborator çdo material apo pajisje të specializuar që duhej për të bërë ndarjen nga plehu kimik të drogës. I shpalluri në kërkim, kolumbiani Zaimir Rodrigez, (i cili dyshohet se kishte ardhur në Shqipëri për të bërë ndarjen e kokainës nga plehu kimik) bashkë me dy të tjerë, janë të specializuar për ta nxjerrë lëndën narkotike nga çdo përzierje tjetër, përfshirë edhe nga rrobat.

Mësohet se një prej kolumbianëve të përfshirë në këtë rrejt trafiku ishte i specializuar edhe për këtë proces. Këta shtetas raportohet se kanë precedentë të theksuar kriminal në vendin e tyre dhe kanë qenë në shërbim të një klani shumë të njohur në Kolumbi. Po ashtu bëhet e ditur se dy të arrestuarit janë njëri kimist dhe tjetri teknolog. Ndërsa Zaimir Rodrigez është kimist i mirëfilltë që ka punuar për klanin mafioz “Kali” dhe është shpallur në kërkim.

Si u zbulua laboratori i kokainës në Frakull të Fierit?

Fillimisht lajmi u dha në mediat malajzeze pas njoftimit se në Portin e Tivarit ishte kapur një sasi kokainë. Më pas u bë e qartë se ky ishte një mega-operacion i koordinuar mes DEA-s amerikane, SPAK dhe Policisë malajzeze që pas 3 muajsh hetime zbuluan laboratorin e drogës në Fier. Laboratori është zbuluar në banesën e ish-kryeplakut të fshatit Frakull, Viktor Çervanaku, i cili jeton në Tiranë. Në pranga janë vënë: Zenel Cervanaku, i cili është edhe porositësi i kësaj sasie kokaine; Viktor Çervanaku, ish-kryetari i komunës së Frakullit, djali i tij së bashku me të fejuarën, Denilson Çervenaku dhe Enxhi Ferhati; Klajdi Vrioni (Kodra), 32 vjeç, i dënuar më parë për armëmbajtje pa leje dhe për plagosje të rëndë; Redion Meshi, 22 vjeç; Marildo Rona, Nikolin Gjolena, Julian Malaj dhe Bledar Matoshi. Në kërkim është shpallur kolumbiani Zaimir Rodrigez, i cili dyshohet se kishte ardhur në Shqipëri për të bërë ndarjen e kokainës nga plehu kimik. Në kuadër të këtij operacioni u sekuestruan 15,910 Euro; 3 armë zjarri automatik kallashnikov; 3 armë zjarri të llojit pistoletë; 108 copë fishekë luftarake të kalibrave të ndryshëm; 18 aparate telefonash celulare; 5 automjete; 2 laptop dhe 2 armë gjahu.